Administrata e Presidentit Biden njoftoi muajin e kaluar një subvencion prej 6.4 miliardë dollarësh për të mbështetur degën e gjigandit të teknologjisë koreno-jugor, Samsung, për prodhimin e gjysmëpërçuesve në Teksas. Siç njofton korrespodentja e Zërit të Amerikës, Deana Mitchell, ky zhvillim nënkupton ndryshime të mëdha për qytetin Taylor, në qendër të Teksasit.
Në pamje të parë, qyteti Taylor duket si shumë qytete të tjera të vogla të Teksasit. Por në periferi, përgjatë autostradës së ngarkuar, gjigandi i teknologjisë Samsung ka angazhuar 10,000 njerëz që punojnë natë e ditë për ndërtimin e objektit të ri për prodhimin e gjysmëpërçuesve që do të jetë dy herë më i madh se kampusi i tij kryesor Pyeongtaek në Korenë e Jugut. “Kemi 50 vjet që jemi në rënie ekonomike dhe kjo sipërmarrje po rigjallëron ekonominë. Jam shumë e kënaqur për rolin që po luan komuniteti im në mbrojtjen ndërkombëtare. Eshtë shumë e rëndësishme që prodhimi i mikroprocesorëve për gjysmëpërçuesit të bëhet përsëri në Shtetet e Bashkuara, ne u përballëm me shumë mungesa gjatë periudhës së Covid-it dhe shumë prej mungesave në zinxhirin e furnizimit ndikuan në uljen e sasisë së tyre”, shprehet Tia Rae Stone, Presidente e Dhomës së Tregtisë “Greater Taylor”.
Dega e Samsung-ut u hap në këtë qytet në fillim të 2022. Administrata e Presidentit Biden njoftoi muajin e kaluar një subvencion prej 6.4 miliardë dollarësh për financimin e projektit. Nga ana tjetër, kompania Samsung, pritet të rrisë investimin e saj fillestar prej 17 miliardë dollarësh, në 40 miliardë, përgjatë viteve të ardhshme.
Brandt Rydell drejton qytetin prej 16 mijë banorësh.
“Për shumë vjet, qyteti ynë ishte vlerësuar shumë pak, më pak se 1 miliardë dollarë. Dhe kur një kompani synonte të investonte 17 miliardë dollarë, kjo ishte vërtet befasuese”, thotë kryebashkiaku.
Ndërsa ecim nëpër qytet, kryebashkiaku tregon një park mjaft të njohur për të ushtruar aktivitete sportive, një dyqan makinash, por edhe shumë ndërtesa të braktisura.
Racquel Torres e cila ka një dyqan lulesh në rrugën “Main” thotë se hovi ekonomik që pritej nuk po ndodh aq shpejt për ata që kanë marrë ambjente me qera për të ushtruar aktivitetin e tyre të biznesit.
“Eshte gjë e mirë që Samsungu vjen në qytet, por jo tani. Tani për tani nuk po i ndjejmë efektet pozitive. Vlera e bizneseve është rritur, dhe po ashtu edhe taksat e pronës. Prandaj, qiratë janë shtrenjtuar dhe kjo po i detyron disa biznese të mbyllen”, tregon ajo.
Sungeun Naomi Kim është në pritje të klientëve të rinj. Ajo po provon shansin në qytetin Taylor, pas një telefonate nga prindërit e saj në Korenë e Jugut, të cilët morën informacione mbi ndërtimin e fabrikës së re të Samsungut nga mediat lokale.Ajo hapi restorantin e parë korean në qytet, me emrin “Taylor Seoul Food”, ku shumica e klientëve janë banorë lokalë, kureshtarë për të provuar ushqimin.
“Ata nuk e kishin provuar kurrë më parë ushqimin korean. Dhe e vetmja gjë që u vjen në mend është ushqimi djegës, por nuk është kështu. Kuzhina koreane përmban gjithashtu ushqim të ëmbël dhe të shijshëm”, thotë ajo.
Ryan dhe Alecia Davenport zotërojnë kafenenë “Coffee House”.
“Ta shohësh zonën e qendrës së qytetit të ketë kaq shumë biznese si ky, apo të tjerë pranë njëri-tjetrit mendoj se është diçka shumë e mire dhe besoj se Samsungu do të ketë një ndikim ndikim pozitiv në këtë drejtim”, shprehet Ryan Davenport
Universiteti i Teksasit në qytetin Austin do të çelë kampusin Taylor pranë objektit që do të ndërtojë kompania Samsung si edhe shkollës së mesme të qytetit. Instituti për Elektronikë i këtij universiteti po kërkon bashkëpunim në fushën kërkimore me partnerë në industrinë e gjysmëpërçuesve, përfshirë Samsungun. /VOA