Kombet e Bashkuara pezulluan të martën shpërndarjen e ushqimeve në qytetin jugor të Gazës, Rafah, për shkak të mungesës së furnizimeve dhe situatës së paqëndrueshme të sigurisë shkaktuar nga zgjerimi i operacionit ushtarak të Izraelit.
Kombet e Bashkuara paralajmëruan se operacionet humanitare në të gjithë territorin ishin drejt kolapsit.
Një zyrtar i lartë i Shteteve të Bashkuara tha se Izraeli u është përgjigjur shumë prej shqetësimeve të administratës së presidentit Joe Biden lidhur me planet për një ndërhyrje tokësore në Rafah që synon çrrënjosjen e luftëtarëve të Hamasit atje.
Rreth 400,000 njerëz besohet se janë ende në Rafah pasi rreth 900,000 të tjerë u larguan me nxitim, sipas COGAT-it, zyra ushtarake izraelite përgjegjëse për çështjet civile palestineze.
Marrja e ndihmave për civilët e zhvendosur është penguar nga pikë-kalimet e mbyllura, si dhe nga problemet me platformën e re lundruese të ushtrisë amerikane, që synonte të ofronte një rrugë alternative detare për të futur ndihmat në Gaza. Sekretari i shtypit i Pentagonit, Gjeneral Major Pat Ryder u tha gazetarëve në Uashington se ditët e fundit, dërgimi i ndihmave nga platforma ishte ndalur, por se rifilloi të martën. Programi Botëror i Ushqimit i OKB-së tha se po i mbaronin furnizimet për Gazën qendrore, ku tani jetojnë qindra mijëra njerëz./VOA