‘Të dorëzohet ose…’/ Policia kishte lokalizuar vrasësin e policit, negociatat me familjarët deri në dorëzim

schedule22:41 - 15 Maj, 2024

schedule 22:41 - 15 Maj, 2024

Azgan Mërnica, autori i vrasjes së policit 28-vjeçar Novruz Cenaliaj është vetëdorëzuar në Polici pas negociatave nga babai dhe daja i tij.

Mërnica ishte shpallur në kërkim prej tre ditësh nga policia, pasi ai u arratis nga vendi ku ndodhi ngjarja, në fshatin Baltëz të Fierit. Mësohet se Mërnica fshihej në Dërmenas.

Policia e kishte lokalizuar dhe i kishte thënë familjarëve të Azgan Mërnicës që të vetëdorëzohet, ndryshe do të neutralizohej. ABC News ka siguruar dhe pamje nga momenti i mbërritjes së Mërnicës në Drejtorinë e Policisë në Fier.

Sipas policisë, veprimet operacionale u shtrinë në një perimetër shumë të gjerë në zonën ku ndodhi ngjarja, duke përdorur dronë të cilësisë së lartë, të cilët kanë monitoruar zonën gjatë gjithë kohës. Po në kuadër të veprimeve operacionale, u ngritën pika kontrolli në gjithë akset rrugore, u forcuan shërbimet në pikat e kalimit, në kufirin jeshil dhe blu.

Këtë të mërkurë, Cenaliaj u përcoll për në banesën e fundit. Homazhet për të u zhvilluan në Teatrin “Bylis” në Fier.

Dyshohet, se Novruz Cenaliaj 28 vjeç, veshur me uniformën e policit pati një konflikt të momentit me Azgan Mernicën.

Dy të rinjtë, banues në të njejtin fshat, u konfliktuan verbalisht dhe më pas fizikisht për kalimin në rrugën e ngushtë që po përshkonin me makinë.

Gjatë konfrontimit, 23 vjeçari e ka qëlluar me një plumb në kokë efektivin duke i shkaktuar vdekjen./abcnews.al