Gjatë rrëfimit në emisionin “Pas Mesnate”, akademiku dhe studiuesi i shquar, Ali Aliu tregoi dhe pengun e tij. Ai zbuloi se mezi po pret të përfundojë historia e letërsisë shqipe me 250 autorë.
Sakaq, studiuesi ndau dhe disa detaje nga kjo histori, duke treguar se së bashku me Sabri Hamitin po këmbëngulin që të jetë gati me tekstet deri në fund të vitit.
“Historia e letërsisë shqiptare do të përfshijë që nga fillimet dhe deri në ditët tona. Është projekt vetëm i Akademisë së Shkencave dhe të Arteve të Kosovës. Po redaksia është përbërë prej 7 anëtarëve nga Kosova dhe nga Shqipëria.
Në atë redaksi që e udhëheq Sabri Hamiti dhe që ka qene projekti dhe këmbëngulja e tij, se e kemi nisur dhe para disa vitesh dhe nuk na ka ecur. Historinë e letërsisë po e kryejmë. Sabriu po ngul këmbë që deri në fund të këtij viti me tekstet të përfundojmë. Janë 250 autorë që nga fillimet dhe deri më sot. Kemi disa sekrete ende. Një herë kemi bërë përzgjedhje emrash, janë të kategorisë së parë, të dytë dhe të tretë. Do të kemi shkrimtarë rilindas, bashkëkohor, të Kosovës dhe të Shqipërisë”, tha Aliu./abcnews.al