Akademiku dhe studiuesi, Ali Aliu ka treguar se u ndje shumë mirë pasi Tirana përmbylli kremtimet për 90-vjetorin e tij të lindjes. Ai tha për emisionin “Pas Mesnate” se ndjeu një ngrohtësi, pasi takoi dhe persona që kishte vite pa i parë.
“Jam ndjerë mirë, në Prishtinë u organizua një konferencë për krijimtarinë letrare timen. Këtu në Tiranë, zakonisht ndihem mirë gjithnjë, dhe posaçërisht sot në Akademinë e Shkencave në prani të një pjesëmarrjeje për mua shumë miqësore dhe të ngrohtë, ka shumë miq që nga njëherë dhe na merr malli. Jemi afër, por nuk shihemi me vite dhe i pash të pranishëm dhe ajo më ofroi një ngrohtësi familjare. Kështu që besoj në rrethana të tilla nuk është pak”.
Më tej, studiuesi u ndal dhe te hera e parë kur ka ardhur në Tiranë, duke e cilësuar si një ëndërr. Sakaq, ka veçuar momentin kur në Lidhjen e Shkrimtarëve takoi shkrimtarët e njohur që i dinte vetëm emrat.
“Ishte një ëndërr ta kesh vendin tënd dhe të jetë vendi më i paarrirë aty, më i paarritshëm për të hyre aty. Ishim një delegacion nga Kosova për herë të parë që hynim, unë isha aty mes të rinjve që përpara kishim Esad Mekulin në krye të delegacionit, Azem Shkreli, Ali Podrimja, kishim një emocion që kur hym te Hani i Hotit. Kështu dhe udhëtimi, kodrat rrugës. Delegacioni në vend të na çonte drejt në hotel, na çoi te Lidhja e Shkrimtarëve, ku ishin 10-15 shkrimtarë që na prisnim. Nuk i njihnim, vetëm i dinim emrat, disa i kishim parë në ekran si Kadarenë dhe disa të tjerë, por që nuk i njihnim dhe si të hutuar shikonim njëri-tjetrin. Mbaj mend që erdhi njëri më përqafonte dhe ai ishte Dhimitër Xhuvani. Kështu vijnë kujtimet”./abcnews.al