Operacioni ushtarak i Izraelit në Rafah ka penguar negociatat me lëvizjen islamike palestineze Hamas, tha sot kryeministri i Katarit, i cili po ndërmjetëson bisedimet e armëpushimit në Gaza, duke theksuar se negociatat janë “pothuajse të bllokuara”.
“Veçanërisht në javët e fundit, ne pamë një përparim por fatkeqësisht gjërat nuk shkuan në drejtimin e duhur,” tha Mohammed bin Abdelrahman al Thani në Forumin Ekonomik të Katarit.
Katari, ka marrë përsipër së bashku me Egjiptin dhe SHBA-në për muaj të tërë të ndërmjetësojë midis Izraelit dhe lëvizjes islamike palestineze. Sheikh Mohammed shtoi se Katari do të vazhdojë të punojë për zgjidhjen e çështjes.
“Ne ua bëjmë të qartë të gjithëve: puna jonë është e kufizuar në ndërmjetësimin tonë ” shtoi ai. “Kjo është ajo që ne bëjmë, kjo është ajo që ne do të vazhdojmë të bëjmë.”
Ai sqaroi gjithashtu se dallimi thelbësor mes dy palëve ka të bëjë me lirimin e pengjeve dhe përfundimin e luftës.
Më shumë se 35,000 palestinezë janë vrarë në ofensivën izraelite në Rripin e Gazës, sipas zyrtarëve shëndetësorë në enklavën palestineze të drejtuar nga Hamasi.
Lufta nisi nga një sulm i paprecedentë i militantëve të Hamasit ndaj Izraelit më 7 tetor, i cili vrau rreth 1200 njerëz dhe mori peng 252 të tjerë, 133 prej të cilëve besohet se mbahen ende në Gaza, sipas shifrave izraelite.
/abcnews.al