Deputetja e PS-së, Klotilda Ferhati e ftuar në “Mbrëmje në ABC” me Mirela Milorin ka komentuar ngërçin në të cilën gjendet Gjykata Kushtetuese. Ligjet e Reformës në Drejtësi janë hartuar pikërisht për të evituar situatat që krijojnë ngërçe: shprehet deputetja e PS.
“Ne kemi dhe një vendimarrje të mëparshme të Gjykatës Kushtetuese, e cila e ka analizuar faktin se fryma e ligjeve të reformës në drejtësi është zhbllokuese”, deklaroi Ferhati. Sipas saj sot jemi në një situatë kur koherenca është ndryshe nga kur është miratuar ligji.
“Shumica e kandidaturave duhet të plotësohen tani dhe nëse Presidenti apo Kuvendi nuk vendosin të emërojnë një nga tre kandidatët e listuar nga Këshilli i Emërimeve në Drejtësi brenda një afati prekluziv prej 30 ditë, kandidati i parë në listë emërohet gjyqtar i Gjykatës Kushtetuese”, shprehet Ferhati.
Në lidhje me punën e Komisionit Hetimor, u shpreh se: Komisioni është duke përmbyllur detyrën e tij që ka afat deri në 8 Dhjetor, dhe në ndërkohë Presidenti në veprimtarinē e tij ka detyrë të respektojë Kushtetutën dhe ligjin.
E pyetur për Reformën Zgjedhore nga pikëpamja teknike, deputetja e PS-së është shprehur se janë realizuar disa mbledhje për të punuar ngushtësisht me ekspertët e Komisionit.
Çështje shumë e rëndësishme është administrimi zgjedhor, ku po punohet që pjesë e saj të jenë individë jo-politikë, tha Ferhati. Deputetja e PS-së e sheh idenë e zgjedhjeve të parakohshme të parealizueshme, “Nuk kemi asnjë arsye për të menduar zgjedhje të parakohshme”, ka thënë Ferhati. /abcnews.al