Nuk ka ndodhur kurrë më parë kështu.
Barcelona është një klub i madh, një skuadër e madhe, dhe që ka rekorde të shumta në Spanjë dhe në Europë, por një fillim i tillë nuk ka precedent në histori.
Në gati 127 vjet ekzistencë, nuk ishin arritur ndonjëherë 7 fitore radhazi në nisje të një sezoni.
U krye tani, nga të besuarit e trajnerit Hansi Flik, që ishte spektakolar tek Bajerni në 2020 kur fitoi gjithçka duke shkëlqyer, dhe po e tregon sërish veten.
Rasing i Santanderit u mund 7-2 në “Kamp Nou”, në suksesin e gjashtë radhazi në La Ligë, dhe të shtatin në edicion.
Kapiteni Rafinja shënoi tri herë me penallti, Zhoao Kanselo ia doli me një gol të madh, Vijalibre shkaktoi autogol, Gabriel Zhezus e shënoi edhe ai emrin në listën e golshënuesve, ndërsa në minutën e parafundit tundi rrjetën edhe Lamin Jamal.
Një talent si ai ende nuk është në qind për qind, shënon pak, e madje humbi edhe një penallti, por kjo për momentin nuk po prish punë. Lamin do të duhet në gjysmën e dytë të sezonit, sidomos në Champions.
“Të papërballueshëm, – brohoret në kopertinë “El Mundo Deportivo”, – spektakël për superlative I Barçës për një tjetër goleadë dhe fillimin më të mirë në histori!” I njëjti titull nga e përditshmja tjetër katalanase, “Sport”: Të papërballueshëm! Barcelona firmos nisjen më të mirë në historinë e klubit!”
Ekipi “blaugrana” pati 70 për qind mbajtje topi, 28 gjuajtje dhe 11 në kuadrat, ndërsa Santander mundi të godiste portën vetëm tri herë. Barcelona kryeson La Ligën me 18 pikë të plota ndaj 15 të Realit, ndërsa golaverazhi është I jashtëzakonshëm 28-6./abcnews.al

