Ministri gjerman i Mbrojtjes, Boris Pistorius(SPD) iu përgjigj me mjeshtëri pyetjeve në anglisht gjatë një debati në Uashington. Por në temën e frenimit të borxhit në Gjermani, Pistorius hasi në vështirësi kur iu desh të shpjegonte se sa të pakuptimtë e konsideron frenimin e borxhit në vendin e tij. Si të ndani më shumë para për mbrojtjen pa huamarrje të reja apo rritje taksash?
Në Shtetet e Bashkuaranuk e kuptojnë frenimin e borxhit gjerman, një dispozitë ligjore që përcakton se huamarrja e re e buxhetit të shtetit nuk mund të kalojë 0.35 për qind të Produktit Bruto në vit. Por fakti që ministri gjerman i Mbrojtjes po përpiqet të rrisë shpenzimet dhe të marrë përsipër përgjegjësi më të mëdha pavarësisht kësaj, sigurisht u pa edhe në Uashington.
“Një nga aleatët më të fortë dhe më të besueshëm”
“Gjermania mbetet një nga aleatët më të fortë dhe më të besueshëm të SHBA-së. Jam krenar që mund të vazhdojmë të punojmë së bashku për sigurinë dhe paqen”, tha Sekretari i Mbrojtjes i SHBA, Lloyd Austin, i cili u takua me Pistorius në Pentagon. Që Gjermania planifikon të vendosë një prani të përhershme të një prej brigadave të saj në Lituani është një ndërmarrje historike, e cila do të forcojë sigurinë evropiane, tha Austin.
Ministri amerikan i Mbrojtjes vlerësoi veçanërisht përfshirjen e Gjermanisë në Ukrainë. Nga njëra anë, sepse Gjermania pranoi më së shumti refugjatë nga Ukraina në Evropë dhe për faktin që Gjermania, pas SHBA-së, është donatori më i madh për mbrojtjen e Ukrainës.
Qeveria federale sapo ka vendosur “që së bashku me amerikanët do të dorëzojmë tre raketa HIMARS në Ukrainë”, tha Pistorius, që vijnë nga sistemi i mbrojtjes amerikane. Gjermania do të paguajë për to, njoftoi Pistorius në Uashington. Këto sisteme mund të godasin deri në një distancë prej 75 kilometrash.
Gjermania është e gatshme të marrë një rol më të madh në politikën botërore
Gjermania është bërë një vend tjetër, kohët kanë ndryshuar, tha ministri gjerman i Mbrojtjes në një fjalim në Universitetin Johns Hopkins në Uashington. “Gjermania është një aleate e palëkundur, e aftë dhe e gatshme për të luajtur rolin e saj në NATO dhe në politikën botërore,” tha Pistorius.
Pas agresionit rus kundër Ukrainës, Gjermania braktisi rezervat e saj për të dërguar armë në zonat e luftës. Ndërkohë, rreth shtatë miliardë euro ndihma ushtarake u dërguan në Ukrainë, tha Pistorius dhe ia bëri të qartë bashkëbiseduesit të tij në kryeqytetin amerikan se ndarja e dy për qind e Prodhimit të Përgjithshëm Bruto për mbrojtje për Gjermaninë është kufiri i poshtëm, jo kufiri i sipërm.
Anëtarët e NATO-s ranë dakord shumë kohë më parë që të ndajnë dy për qind të PPB-së së tyre për mbrojtjen. Gjermania do ta arrijë këtë shumë për herë të parë këtë vit. Por Pistorius dëshiron ta rrisë atë shumë edhe më shumë.
Pistorius tha gjithashtu se e konsideron një gabim heqjen e rekrutimit në Gjermani dhe kërkon të rikthejë “një lloj rekrutimi”. Ministri gjerman i Mbrojtjes tregoi mirëkuptim për njoftimin e presidentit amerikan Joe Biden për të konsideruar ndryshimin e qëndrimit ndaj Izraelit. Biden njoftoi se do të ndalojë mbështetjen ushtarake për Izraelin nëse ushtria izraelite hyn në qytetin Rafah në pjesën jugore të Rripit të Gazës. Gjermania po shqyrton gjithashtu hapa të ngjashëm, tha Pistorius në një intervistë me stacionin televiziv gjerman ZDF. Ai shtoi se kjo aktualisht është duke u diskutuar.