Atalanta zhvilloi një ndeshje të madhe kundër Manchester City dhe mori pikën e parë në histori në Champions League. 1-1 u mbyll dueli i zhvilluar në “San Siro”, rezultat që mban ende në lojë ekipin bergamask.
Tani nevojiten dy fitore kundër Dinamos së Zagrebit në shtëpi dhe Shakhtarit në transfertë. Nëse Atalanta ia del dhe dy kundërshtarët nuk fitojnë kundër ekipit të Guardiolës, Gjimshiti me shokë kualifikohen më tej.
Berat Gjimshiti ka folur për ndeshjen kundër kampionëve të Anglisë dhe shpresat e kualifikimit në një prononcim për kanalin zyrtar të Atalantës. Mbrojtësi shqiptar, i cili u aktivizua si titullar mbrëmjen e kaluar, thur elozhe për paraqitjen e ekipit dhe beson te kualifikimi.
“Zhvilluam një ndeshje të jashtëzakonshme, sidomos në pjesën e dytë. Vuajtëm pak në 45 minutat e para, por më pas reaguam me kurajë të madhe, thjeshtë na mungoi pak fat. Nuk e kemi nisur mirë, por duam të mbledhim sa më shumë pikë dhe të fitojmë dy ndeshjet e fundit“, thekson mbrojtësi shqiptar i Atalantës. /abcnews.al