Jeta dhe vepra artistike e piktorit të shquar, shkodranit Simon Rrota vjen e përmbledhur në një monografi. Kritikja e artit Suzna Varvarica studimin 17 vjeçar mbi piktorin Simon Rrota e ka përmbledhur “Piktori i nostalgjisë së një realiteti të humbur”.
Një vit pas shpalosjes së kujtimeve shkruar prej dorës së tij, tashmë mjeshtri i penelit Simon Rrota vjen i plotë në një album dhe studim monografik të Suzana Varvaricës, e cila prej 17 vitesh i është dedikuar babait të pikturës shqiptare.
Emocionet janë krejt të pranueshme për të bijën e cila ka rrugëtuar nga Italia për t’iu gëzuar prezantimit të veprës së të atit.
Simon Rrota piktori i nostalgjisë së një realiteti të humbur, shpalos krahas vlerave pikturike në gjini të ndryshme edhe ndjenjat patriotike, si dhe atdhedashuria e rilindasit që ishin shtrati emocional i artit të tij.
Krijimtaria e tij përfshin kompozime, portrete, peizazhe e vizatime me karbon.
Mbas vdekjes më 1961 Simon Rrotës ju dha titulli “Piktor i Merituar” dhe më 1999 “Piktor i Popullit”. /abcnews.al