Desar Sulejmani është dirigjenti shkodran që drejton Orkestrën e Ballkanit. Ai ka thënë në emisionin “Pas Mesnate” se në fillim ka pasur probleme etnike dhe mes muzikantëve, por tani jo më.
Sipas Sulejmanit, qëllimi i kësaj orkestre është që të jap mesazhe politike në art, pasi prej 5 vitesh bërthamë janë artistët e gjashtë vendeve të Ballkanit Perëndimor. Sipas artistit, politika është art dhe arti politikë. Ai ka theksuar se mesazhi kryesor është pranimi i njëri-tjetrit dhe Bashkimi Europian.
“Ne nuk mund të funksionojmë nëse nuk bëjmë art dhe vetë orkestra është politikë, një mesazh politik, megjithëse ne nuk flasim për politikë. Kjo është një orkestër që përmbledh të gjithë rajonin. Kjo është mjaftueshëm politik. Hapi i dytë është që ne të jemi pjesë e Bashkimit Europian, ndërsa hapi i parë është bashkimi i vetvetes, njohja e vlerave të secilit, e cila bën pranimin e tjetrit. Artistët pranohen në mënyrën më të lehtë mes vetes. E para, muzikantët e dinë se çfarë i pret, e dinë që ne insistojmë në mënyrë të vazhdueshme në respektin ndaj tjetrit, në respektimin e të qënurit ndryshe dhe pse jemi në një rajon të vogël, respektimin e larmisë ideore, thyerjen e barrierave sociale, etnike dhe kulturore. Këto ndodhin gjithmonë duke bërë muzikë, duke folur për muzikë, duke kaluar kohë me njëri-tjetrin”, deklaroi Sulejmani./abcnews.al