Hamasi dëshiron të shmangë me çdo kusht sulmin në Rafah, të gatshëm për negociata

schedule12:31 - 6 Maj, 2024

schedule 12:31 - 6 Maj, 2024

Një zyrtar i lartë nga Hamasi, grupi islamik palestinez që sundon Rafah, tha për Reuters se urdhri për evakuimin e Rafahut ishte një “përshkallëzim i rrezikshëm që do të ketë pasoja”.

“Administrata amerikane, së bashku me forcat pushtuese mbajnë përgjegjësinë për këtë terrorizëm”, tha zyrtari Sami Abu Zohri për agjencinë e lajmeve Reuters, duke iu referuar aleancës së Izraelit me Uashingtonin.

Më herët gjatë ditës së sotme, ushtria izraelite u bëri thirrje banorëve të largohen nga lagjet në pjesën lindore të Rafah, duke paralajmëruar se forcat e armatosura izraelite po përgatiteshin të kryenin një operacion ushtarak atje.

Në këtë kontekst, një zyrtar tjetër i Hamasit tha sot se organizata synon të vazhdojë negociatat për një armëpushim në Rripin e Gazës, edhe pse në të njëjtën kohë Izraeli u kërkoi banorëve të evakuonin disa zona të qytetit në pjesën jugore të enklavës palestineze, përpara një operacioni të  mundshëm ushtarak.

“Pas raundit të fundit të negociatave në Kajro, udhëheqja e organizatës po zhvillon konsultime të brendshme dhe me organizata të tjera palestineze”, tha për AFP një zëdhënës i lëvizjes islamike palestineze, Abdel Latif al-Kanu.

“Ne do të vazhdojmë negociatat në një mënyrë pozitive dhe të hapur për të arritur një marrëveshje, e cila do të sigurojë një armëpushim të pacaktuar.”

Më herët, media egjiptiane Al-Qahera Neës raportoi se një delegacion i Hamasit do të kthehet në Egjipt të martën për të rifilluar negociatat mbi propozimin për të zbatuar një armëpushim në Gaza së bashku me lirimin e pengjeve.

“Delegacioni i Hamasit u largua sonte nga Kajro për në Doha, ku do të zhvillojë konsultime dhe do të kthehet të martën për të përfunduar negociatat” që po zhvillohen përmes ndërmjetësve me Izraelin, raportoi Al-Qahera News, duke cituar një burim të mirëinformuar.

/abcnews.al

 

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!