Për vrasjen që ndodhi një ditë më parë në Dukagjin po hetohet në dy pista , në atë të shfrytëzimit të pyjeve dhe të trafikut të drogës. Dyshohet se Gjergj Krygja merrej edhe me lëndë narkotike. Autorët mendohet se kanë lëvizur me një fuoristradë. Viktima mësohet se ka qenë një eksponent i partisë socialiste në zonën e Sumës.
Një banor i zonës së Sumës e ka gjetur të vrarë Gjergj Krygjen në derën e shtëpisë së tij. Ai ka njoftuar policinë nga e cila është mësuar se ekzekutuesi ka vepruar nga një distancë e afërt. Nuk përjashtohet mundësia që viktima të njihej me autorin ose autoret e ngjarjes.
Nga burime të abc neës mësohet se një fuoristradë ka qarkulluar në zonë ditën e mërkurë dhe në të ndodheshin tre persona. Dyshohet se pas kryerjes së krimit mjeti është larguar me shpejtësi.
Të vetmet mjete që arrijnë të qarkullojnë në zonë janë makinat e larta të cilat merren me furnizimin me dru. Duke shfrytëzuar motin e keq, autoret janë arratisur pa lënë gjurmë.
Gazetari i ABC Neës Simon Shkreli ka mësuar se për krimin po hetohet në dy pista. 43 vjeçari dyshohet se është vrarë për një konflikt për shfrytëzimin e lëndës drusore pasi Suma është nga zonat që shfrytëzohet më ë shumti kjo lëndë.
Sipas burimeve një pistë tjetër që po hetohet është edhe aktiviteti në kultivimin e lëndës narkotike, nëse viktima ka patur ndonjë konflikt për trafikant droge.
Policia mori në pyetje banorë dhe të afër të viktimës por nuk ka arritur të përvetësojë ndonjë detaj të rëndësishëm. Të afërmit kanë deklaruar se ai kishte shkuar në bjeshkë për të marrë zahiret e dimrit.
Policia është rikthyer sërish në vendngjarje për të gjetur prova të tjera që mund të kenë shpëtuar nga moti i keq. Viktima Gjergj Krygja ka qenë eksponent i Partisë Socialiste në zonë ku në vitin 2015 së bashku me komisionerët tjerë është filmuar duke manipuluar votat në Qendren e Votimit 0092 e cila ndodhet në ambientet e shkollës 9 vjeçare në Bruçaj të Sumës, pjesë e njësisë administrative Pult të Dukagjinit.
Kjo është vrasja e dytë brenda një muaji në Shkodër, me 21 tetor në Shosh të Dukagjinit është vrarë me armë zjarri Lazer Arra, për këtë vrasje prokuroria ka akuzuar sit ë dyshuar kryesor djalin e xhaxhait të viktimës Marash Arra, ndërsa më pas ka ndryshuar akuzën nga vrasje me paramendim në mos kallëzim krimi./abcnews.al