Një shtetas nga Venezuela është vënë në prangat e policisë, pas goditjes së rrjetit të trafikut të prostitucionit në Tiranë. Shtetasi nga Venezuela ishte edhe organizatori i këtij grupi të prostitucionit.
Në pranga ka rënë edhe një shtetas tjetër. Gjithashtu ka nisur procedimi për një 19-vjeçar.
“Finalizohet operacioni policor i koduar “ET-1”, për goditjen e një rrjeti prostitucioni. Operacioni u zhvillua nga Seksioni për Hetimin e Trafiqeve në DVP Tiranë, në bashkëpunim me Komisariatin e Policisë Nr. 3. Vihet në pranga 1 shtetas nga Venezuela, organizator i rrjetit të prostitucionit, në Tiranë. Vihet në pranga 1 shtetas tjetër i huaj dhe procedohet penalisht një 19-vjeçar, që kishin ardhur në Shqipëri, për të ushtruar prostitucion. DVP Tiranë, në bashkëpunim me Komisariatin e Policisë Nr. 3, në vijim të punës për goditjen e paligjshmërive, organizuan dhe finalizuan operacionin policor të koduar “ET-1″, si rezultat i të cilit u bë arrestimi i shtetasve 29 vjeç, dhe 31 vjeç, dhe u procedua në gjendje të lirë shtetasi A. S., 19 vjeç, të tre banues provizorë në Tiranë”, thuhet në njoftimin e policisë.
Sipas hetimeve ka rezultuar se një 29-vjeçar shfrytëzonte për prostitucion, dy shtetasit e tjerë, të cilët kishin ardhur nga vende të ndryshme, në Shqipëri, ishin akomoduar në një banesë me qira, në rrugën “Kongresi i Tiranës”, dhe nëpërmjet një faqeje në internet, krijonin kontakte me njerëz të ndryshëm, për të ushtruar prostitucionin, kundrejt pagesave 150-300 euro.
Vijon puna për identifikimin e shtetasve të tjerë të përfshirë në këtë veprimtari kriminale. Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë.
/abcnews.al/