Për të dytën herë radhazi gjykata e posaçme rrëzoi kërkesën e ish-ministrit të mbrojtjes, Fatmir Mediu që 5 shtetas amerikanë të pyetjen nëpërmjet video-konferencës në procesin që po mbahet ndaj tij në dosjen Gërdeci.
Gjyqtarja Irena Gjoka vendosi që marrja në pyetje e ekspertëve që asistuan në procesin e demontimit të armëve në Gërdec të kryhet përmes agjentëve të FBI, por në prani edhe të një avokati amerikan që përfaqëson interesat e Mediut.
Avokati amerikan Andrew Turlye do të jetë i pranishëm gjatë dëshmisë që do të japin 5 shtetasit amerikanë, ndërsa pyetjet janë dërguar më herët nga SPAK dhe avokatët mbrojtës drejt agjentëve të Byrosë Federale të Hetimit, FBI.
Më pas autoritetet amerikanë do të përcaktojnë datën se kur do të zhvillohet marrje në pyetje dhe më pas do të përcjellin përgjigjet në vendin tonë nëpërmjet letër porosisë, çka do të thotë se do të duhet një kohë e gjatë për procesin që po mbahet ndaj Fatmir Mediut. Nga ana tjetër seanca e radhës do të zhvillohet më 15 maj në orën 10.
Ish-ministri, Fatmir Mediu, akuzohet nga prokuroria për shpërdorim detyre me dyshimin se ka kryer shkelje në lidhje me procesin e çmilitarizimit dhe çmontimit të municioneve në ambientet e ish “Brigatës së Tankeve”, në Gërdec./abcnews.al/