“Zjarr dhe Tërbim: Brenda Shtëpisë së Bardhë të Trump”, është titulli i librit që po tronditë presidencën e Donald Trump. Në të janë shumë zbulime rreth shndërrimit të Trump në presidentin e 45 të Shteteve të Bashkuara.
Një libër i gazetarit Michael Wolff, i titulluar “Zjarr dhe Tërbim: Brenda Shtëpisë së Bardhë të Trump”, ka shkaktuar shumë polemika. Analisti politik i BBC ka shqyrtuar librin i cili, ende nuk është publikuar zyrtarisht. Anthony Zurcher ka listuar 10 zbulimet më tronditëse. Sipas librit, ish shefi strategjik i Shtëpisë së Bardhë Steve Bannon mendoi se një takim midis Donald Trump Jr dhe një grupi rusësh ishte “tradhëti”. Zyrtarët nga Moska i kishin ofruar Trump Junior informacione të dëmshme për Hillary Clinton në takimin e qershorit 2016.
1, Wolff shkruan se çfarë i tha Bannon për takimin: “Tre zyrtarë të lartë në fushatë menduan se ishte një ide e mirë për t’u takuar me një qeveri të huaj brenda Trump Tower në sallën e konferencave në katin e 25-të, pa avokatë. As ata nuk kishin avokatë. Edhe nëse ju mendoni se nuk ishte tradhëti, ose jopatriotik, unë mendoj se ishte, dhe ju duhej të kishit thirrur menjëherë FBI-në”.
Bannon thotë se hetimi i Departamentit të Drejtësisë për lidhjet midis fushatës së Trump dhe Moskës do të përqëndrohet në pastrimin e parave. “Ata do ta shtypin Don Junior si një vezë në televizionin kombëtar”, shprehet ish-zyrtari i administratës Trump.
2, Sipas librit të Wolff, Trump është tronditur dhe frikësuar nga fitorja e zgjedhjeve presidenciale të nëntorit 2016.
“Menjëherë pas orës 20 në ditën e zgjedhjeve, kur trendi i papritur – se Trump mund të fitonte – dukej i konfirmuar, Don Jr i tha një miku se babai i tij, ose DJT, siç e quan ai, dukej sikur ai kishte parë një fantazmë. Melania ishte në lot dhe nuk ishin lot gëzimi. Në harkun kohor të një ore u panë, sipas vëzhgimit jo entuziast të Steve Bannon, një Trump i trullosur që kaloi në një Trump mosbesues dhe më pas në një Trump të tmerruar. Por duke ardhur ishte dhe transformimi përfundimtar: Papritur, Donald Trump u shndërrua në një person që besonte se meritonte të jetë dhe ishte plotësisht i aftë të bëhej, presidenti i Shteteve të Bashkuara”, shkruhet në libër.
3, Sipas autorit Wolff, Trump ishte i zemëruar në ditën e inagurimit.
“Trump nuk e ka shijuar inaugurimin e tij. Ai ishte i zemëruar se yjet e nivelit të lartë e kishin shpërfillur eventin, i pakënaqur me strehimin në ‘Shtëpinë Blair’ dhe dukshëm ishte zënë me gruan e tij, që dukej në prag të lotëve. Gjatë gjithë ditës, ai kishte veshur atë që për disa nga personat që i rrijnë afër është quajtur fytyra e tij të golfit: i zemëruar dhe i inatosur, supet e përkulura, krahët e lëkundur, vetullat e ngrysura dhe buzët e shtrënguara”.
Por zyra e zonjës së parë të Shteteve të Bashkuara ka rrëzuar këto pretendime të librit.
4, Sipas autorit të librit, Trump e cilëson Shtëpinë e Bardhë si “të frikshme”. Në ditët e para, ai porositi vendosjen e dy ekraneve televizive përveç atij që ishte atje dhe një bllokadë në derë, duke shkaktuar një ndalesë për Shërbimin Sekret, i cili këmbënguli që ata të kishin qasje në dhomë”.
5, Në librin aq të diskutuar, Wolff shkruan se vajza e Trump dhe burri i saj Jared Kushner dyshohet se arritën një marrëveshje që nëse dikush do të kandidojë për president në të ardhmen, ajo do të ishte Ivanka. Gjithashtu pretendonte se presidneti i parë femër në historinë e SHBA do të ishte Ivanka Trump dhe jo Hillary Clinton. Në libër thuhet se Bannon ishte tmerruar pasi kishte marrë vesh për marrëveshjen mes çiftit.
6, Sipas librit, Ivanka është tallur me babain e saj lidhur me dyshimet se mban paruke. Madje në prani të miqve të saj ka thënë se Trump ka bërë operacione për mbjellje dhe ngjyra e flokëve paraqet një efekt komik.
7, Katie Walsh, zëvendësshefja e stafit të Shtëpisë së Bardhë, e pyeti Kushner, këshilltarin e lartë të presidentit, se çfarë dëshironte të arrinte administrata. Sipas librit, dhëndërri i Trump nuk ka dhënë ndonjë përgjigje. Kjo tregon se Shtëpia e Bardhë është e pasigurtë për prioritetet e saj, sipas analistit të BBC.
8, Sipas autorit të librit, Trump ka një konsideratë të lartë për manjatin mediatik Rupert Murdoch. “Ai është një nga të mëdhenjtë, i fundit i të mëdhenjve”, citohet presidenti amerikan në librin e Wolff, i cili më përpara kishte shkruar biografinë e Murdoch.
9, Por admirimi nuk ishte i ndërsjelltë, sipas Wolff që shkruan për një telefonatë midis mes tyre lidhur me takimin e presidentit me drejtuesit e “Silicon Valley”. Murdoch i ka kërkuar Trump që të ketë një politikë më liberale për programin e vizave të punës, por presidenti amerikan pretendonte të kundërtën. “Çfarë budallai”, ka thënë Murdoch pasi kishte mbyllur telefonin.
10, Ish-këshilltari amerikan i sigurisë kombëtare Mike Flynn e dinte se pranimi i parave nga Moska për një fjalim mund ta rrënonte atë, sipas librit. Wolff shkruan se para zgjedhjeve “miqtë i kishin thënë Flynn se nuk ishte një ide e mirë për të marrë 45.000 dollarë nga rusët për një fjalim. Ndërsa përgjigja e tij ishte kjo: “Kjo do të ishte një problem vetëm nëse do të fitojmë”.
Ndërkohë, libri i Michael Wolff është bazuar në më shumë se 200 të intervistuar, që konsistojnë në zyrtarë të Shtëpisë së Bardhë dhe administratës së Trump apo persona të afërt me të./abcnews.al