A do të mundet BE të përballojë financiarisht vende të reja anëtare?

schedule09:29 - 28 Prill, 2024

schedule 09:29 - 28 Prill, 2024

Pushtimi rus i Ukrainës e ka vënë zgjerimin në krye të agjendës së BE. Por vendet që rreshtohen për t’u bashkuar me Bashkimin Europian janë më të varfër se anëtarët ekzistues. Do e boshatisnin buxhetin anëtarët e rinj?

“Pa fermerë, nuk ka më bukë” ky ishte një slogan popullor gjatë më shumë se 200 bllokimeve të rrugëve të organizuara nga fermerët polakë në shkurt të këtij viti. Në periferi të qytetit polak Kock, dy orë me makinë nga kufiri ukrainas, qindra traktorë bllokuan një rrugë për të parandaluar hyrjen e grurit të lirë ukrainas në vend. Për fermerët këtu, ka një shqetësim tjetër të madh: ata i tremben hyrjes së Ukrainës, fqinjes lindore të Polonisë në BE, pasi mund të kërcënojë jetesën e tyre. “Ta harrojnë atë. Kjo është një ide e çmendur”, tha për DW një nga fermerët protestues gjatë bllokadës.

Zgjerimi si instrument sigurie

Për më shumë se një dekadë, BE-ja dukej si një klub i mbyllur, ku vendet aspirante ishin rreshtuar në pritje për të hyrë. Por pushtimi rus i Ukrainës e ka ndryshuar rrënjësisht situatën. Në dhjetorin e kaluar BE çeli negociatat me Ukrainën dhe Moldavinë si edhe i dha Gjeorgjisë statusin e kandidatit. “Për shkaqe të kuptueshme, BE-ja tani po e sheh zgjerimin si një instrument sigurie. Buxheti është pjesë e diskutimeve, por mund të mos jetë domosdoshmërisht faktori vendimtar”, thekson për DW, Thu Nguyen, zëvendësdrejtore e institutit të pavarur me qendër në Berlin, Jacques Delors Centre.

Protestat e fundit në Poloni e sjellin edhe një herë këtë në kujtesë edhe pse ekonomia pa dyshim bën pjesë tek motivet politike të BE-së. Realisht entuziazmi i ri i Brukselit për zgjerimin shoqërohet me frikën se zgjerimi do t’i vërë disa nga anëtarët dhe qytetarët e BE-së në një disavantazh ekonomik.

BE-ja e shpenzon pjesën më të madhe të buxhetit për zhvillimin rajonal dhe bujqësinë. Koncepti: shtetet anëtare që janë më pak të pasura marrin më shumë para nga BE-ja sesa paguajnë. Tetë vendet që janë aktualisht në radhë për t’u anëtarësuar janë të gjitha më të varfra se shtetet anëtare aktuale. Turqia do të ishte vendi i nëntë kandidat për në BE, por procesi i saj i pranimit është pezulluar.

Zgjerimi lidhet me shpresa për përmirësimin ekonomik

Për Jasna Pejovic nga Mali i Zi, anëtarësimi në BE do t’i jepte vendit “më shumë legjitimitet”. Mali i Zi është vendi që ka bërë më shumë progres në rrugën drejt anëtarësimit në BE. 80% e popullsisë malazeze dëshiron të jetë pjesë e BE. Duke folur për DW në zyrën e startup-it të saj të e-learning Flourish në kryeqytetin Podgoricë, Jasna thotë se të qenit qytetare e BE-së do të ishte si një certifikatë vlerësimi për biznesin e saj. Për DW ajo rrëfen, se investorët që nuk kanë bërë biznes me Malin e Zi, thonë, se po të ishim pjesë e Bashkimit Evropian situata do të ishte ndryshe. Mali i Zi me një popullsi të vogël prej 630.000 banorësh nuk do të përbënte ndonjë sforcim të madh për buxhetin e BE.

“Nëse BE do të pranonte nesër Malin e Zi për këtë ajo vërtet do duhej të paguante, por askush nuk do e vinte re, sepse është e përballueshme”, thotë Nathalie Tocci, këshilltare e dy ish-komisionerëve të BE për politikën e jashtme. “Por për BE nuk do të kishte ndonjë stimulim ekonomik.” Për vendet e Ballkanit Perëndimor anëtarësimi do të sillte mundësi e shanse ekonomike për miliona njerëz, me një kosto të menaxhueshme për BE-në. E megjithatë, shumica e vendeve të Ballkanit Perëndimor qëndrojnë në pritje për më shumë se një dekadë. Maqedonia e Veriut madje për dy dekada.

Ukraina do të linte në hije disa vende anëtare

Kohët e fundit në horizontin lindor u shfaq një kandidate e re për anëtarësimin – Ukraina. E goditur rëndë nga pushtimi rus, ky vend e mori statusin e kandidatit në qershor 2022. Në lidhje me Ukrainën, më e populluara – dhe më e varfëra – nga të gjitha vendet kandidate do të ishte “një lojë ndryshe”, thotë Nathalie Tocci. “Kjo për shkak të madhësisë së saj, për shkak të sektorit të bujqësisë, për shkak të mirëqenies mesatare dhe, mbi të gjitha, sepse është një vend në luftë me nevojën e 500 miliardë eurove për rindërtimin ende në shtim e sipër.”

Nëse Ukraina do të anëtarësohej në BE, ajo do të bëhej prodhuesja më e madhe bujqësore europiane dhe do të rëndonte shumë më tepër mbi financat e BE. Nëse të gjithë fermerët e BE-së së bashku punojnë deri në rreth 157 milionë hektarë (387.35 milionë hektarë) tokë të punueshme, Ukraina do të shtonte edhe 41 milionë hektarë të tjerë. Për disa anëtarë aktualë, kjo do të sillte konkurrencë të padëshiruar në tregun e brendshëm. Polonia, për shembull, është ngjitur aktualisht në një nga prodhueset më konkurruese të ushqimeve në BE që nga anëtarësimi në vitin 2004. Nëse Ukraina bashkohet me BE-në, ky pozicion do të kërcënohet, sepse fermat industriale të Ukrainës i lenë në hije ato evropiane. “Me shumë mundësi do të falimentonim, pasi  do të përmbyteshim lehtësisht me produkte shumë më të lira nga Ukraina,” thotë Lukasz Czech, një fermer polak i drithërave dhe derrave nga Parczew, i cili merr edhe subvencione nga BE.

Do ta boshatisnin buxhetin e BE-së anëtaret e reja?

Sipas një llogaritjeje të brendshme nga Këshilli Evropian, pranimi i të gjithë kandidatëve do t’i kushtonte BE-së rreth 256 miliardë euro, vetëm Ukraina vlerësohet se do të merrte 186 miliardë euro gjatë shtatë viteve, por këtu nuk janë përfshirë kostot e rindërtimit të vendit pas shkatërrimeve të luftës. Ekspertja Thu Nguyen mendon se “pasojat financiare nuk do të ishin aq të larta sa ç’sugjerojnë disa nga numrat.”  Por as Thu Nguyen nuk mund të thotë saktësisht se nga do të vijnë paratë shtesë që i duhen BE. “Është e mundur që ato të vijnë nga vendet anëtare aktuale. Është e mundur që BE të mbledhë fonde nëpërmjet burimeve të reja. Për shembull, ka diskutime rreth një takse plastike apo mekanizmave të rregullimit të CO2-isht.” Disa nga vendet anëtare të BE-së duan ta shtyjnë përpara procesin e anëtarësimit me një shpejtësi të paprecedentë. Nëse do të kenë sukses apo jo, kjo do të varet nga përbërja e ardhshme e Parlamentit të ri Europian që do të zgjidhet në qershor./DW/

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!