Eksperti kontabël, Sotiraq Dhamo foli për efektet e tatimit mbi profesionet e lire, duke shpjeguar se do të sjellë përpjekje për të shmangur tatimet. Gjatë një interviste në emisionin “Sheshi i Dollarit” në ABC News, ai gjithashtu shtoi se duhet të vendosej një normë tatimi të paktën deri në 7 %, ndërsa nënvizoi se ky ligj do të ndikojë vetë në mbushjen e arkës së shtetit.
“Propagandohet që të sigurohet barazi me pagat e punonjësve, por e largon nga tregtarët e zakonshëm. Unë mendoj që nëse duam të vendosim një sistem tatimor të drejtë, ky biznes profesional, shërbimet profesionale të rregulluara, të organizuar me ligj mendoj që në këto profesione duhet të ketë një normë tatimi tjetër. Duhet të jetë një variant, jo më shumë se 5 % e fitimit, ose një tatim mbi xhiron. Duke qenë se në Shqipëri për fat të mirë është vendosur sistemi i fiskalizimit, më e lehtë për të llogaritur tatimin është xhiro.
Shoqëritë e shërbimeve tatohen më shumë edhe se aksionarët. Duhen norma më të lehtësueshme dhe më të aplikueshme. Efektet do të jetë disa lloje, ndër to edhe përpjekja për të shmangur tatimet, sidomos kur e gjykojnë që nuk është e drejtë përpjekja për ta shmangur është edhe më e madhe. Nëse bëhen diferencime bie argumenti se do të luftosh evazionin. Ka pasur persona që kanë ofruar shërbime dhe kanë shmangur tatimin, por numri i atyre që kanë respektuar ligjin është shumë më i madh. Për këtë arsye mendoj që kundërshtimet nuk duhet t’i marrë si çështje politike, por janë çështje të ekonomisë, parimore dhe sociale. Mendoj që për këto biznese të vogla në Shqipëri, profesionale, duhet ose të ulet përqindja e tatimit ose të tatohet mbi xhiron”, tha ai.
/abcnews.al/