Sekretari i Përgjithshëm i ministrisë së Drejtësisë, Ismail Shehu deklaroi se nga amnistia përfitojnë mbi 4 mijë persona. Në një lidhje live për “Tirana Live” me Elisa Gjeranin, sekretari i Përgjithshëm shtoi se amnistia sjell lehtësi për problematikën e mbipopullimit nëpër burgjet e vendit.
“Numri total deri mbrëmë të personave është 4171 persona. E ndarë në dy kategori. Janë diku 1509 të dënuar që preken dhe kemi 2662 të tjerë që kanë dënime alternative, me shërbim prove. Nga totali i të dënuarve, 709 prej tyre janë liruar sot që kanë përfituar amnisti të plotë dhe dënimi që iu kishte mbetur ishte një 1 vit e gjysmë. Janë 800 persona të tjerë që iu është ulur dënimi me 1 vit e gjysmë”, tha ai.
“Është lehtësi e madhe pasi kemi qenë në limitet, të mbipopulluar me të burgosur. Po lirimi i 709 personave të menjëhershme na lehtëson shumë megjithatë nuk ka qenë qëllimi në vetvete ulja e mbipopullimit, ka qenë humanizmi, rehabilitimi dhe mundësia e integrimit.“, shtoi më tej Shehu.
Ndërkaq, i pyetur për mundësimin e integrimit në shoqëri të të dënuarve, ai shtoi:
“Ka proces integruese, nuk është diçka e drejtpërdrejtë e ministrisë së Drejtësisë. Ka plot programe që synojnë integrimin sa më të shpejtë të këtyre personave në shoqëri.”