I goditën në momentin e tyre më të mirë. “Emiljanët” e Bologna janë padyshim surpriza e këtij sezoni, me djemtë e teknikut, Thiago Motta, që luftojnë për një “biletë”, të fazës së grupeve, të UEFA Champions League dhe duket se ëndrra vazhdon teksa mbrëmjen e kësaj të hëne kanë mposhtur, “Verdhekuqtë” e Roma, në “mitikun” e “Stadio Olimpico”.
Golat e El Azzouzi e Joshua Zirkzee siguruan avantazhin në pjesën e parë të sfidës, me “Kuqeblutë”, që shënuan në minutat 14’ e 45’. Loja do të hapej sërish në të 56’-tën, me “bomberin” iranian, Serdar Azmoun, mirëpo një gol i Saelemaekers, në minutën e 65’-të, “vulosi” përfundimisht fitoren e miqve, në arenën kryeqytetase.
Kështu, Bologna ngjitet në kuotën e 62 pikëve dhe aktualisht pozicionohet në vendin e 4-t, të renditjes me vetëm 2 pikë, më pak se “Bardhezinjtë” e Juventus, që gjendet në vendin e tretë. Ndërkaq Roma vendoset fill pas “Emiljanëve”, me 55 pikë, në vendin e 5-të, 1 pikë më shumë se Atalanta e Berat Gjimshitit. /i.m /abcnews.al