Komisioni i Reformës Zgjedhore thirri sot për të dëgjuar shoqërinë civile, por mbledhja u kthye në sherre e debate personale mes opozitës së re dhe mazhorancës. Të gjithë pranojnë se puna e deritanishme për reformën, mund të hidhet poshtë, nëse në një moment palët bien dakord për të ndryshuar sistemin zgjedhor.
Ishte parashikuar si një seancë dëgjimore me ekspertë zgjedhorë dhe shoqërinë civile mbi reformën elektorale në vend, por nisi ndryshe.
Damian Gjiknuri ju tha të ftuarve se kjo mbledhje nuk do të diskutonte për ndryshimin e sistemit zgjedhor, por opozita parlamentare, nuk ka shqetësim tjetër.
Nëse sistemi ndryshon, tani ose vitin tjetër, atëherë puna e bërë deri tani nga komisioni parlamentar shkon dëm.
Deputetët, të ngacmuar nga shoqëria civile për shpenzimet e tyre ne fushatë, u hodhën në kundërsulm.
Ekpsertët e atashuar pranë komisionit zgjedhor janë duke punuar një dokument për depolitizimin e administratës zgjedhore, dokument të cilin duan ta përfundojnë brenda këtij muaji. /abcnews.al