Arrestohet gjyshi i 3 vjeçarit/ Asnjë gjurme nga fëmija e rrëmbyer, në kërkim gjyshja dhe vëllai

schedule09:28 - 18 Prill, 2024

schedule 09:28 - 18 Prill, 2024

Tre vjeçari, i cili dyshohet se është rrëmbyer nga gjyshërit e tij, nuk është gjetur ende.

Policia njoftoi të enjten se ka arrestuar gjyshin e të miturit, Rexhep Gjunin dhe Arben Selajn vëllain e bashkëshortes së tij banues ne Has.

Po ashtu janë shpallur në kërkim gjyshja e të miturit, Barie Gjuni dhe Flamur Selaj vellai tjetër i saj.

Edhe pas arrestimit, Rexhep Gjuni nuk ka pranuar të bashkëpunojë me autoritetet duke mos treguar vendndodhjen e nipit.

Gjatë marrjes në pyetje ai ka deklaruar se nusja i kishte kërcënuar se nuk do ta shikonin me nipin pasi do të largohej me të jashtë shtetit.

“Prandaj edhe ne vepruam në këtë mënyrë. E kemi dritën e syve, nuk jetojmë dot pa të. Me nusen nisën debatet që ditët e para që na vdiq djali. Donte të ikte në shtëpinë e prindërve të saj, pa mbushur as 40 ditë që bashkëshorti i kishte vdekur. Edhe me pas kemi pasur debate për të marrë nipin pasi nuk donte që ne ta takonim. Pastaj na e lejonte ta shihnim shumë rrallë. Ajo mund të vazhdojë jetën e saj po nuk ka të drejtë të na ndalojë të takojmë nipin. Nga frika se nuk do ta shikonim më u organizuam me njeri tjetrin për ta marrë dhe duam ta mbajmë vetë. Kemi marrë parasysh gjithçka.”

Për gjetjen e tre vjecarit efektivët kanë ushtruar kontrolle në disa qytete por kërkimet nuk kanë dhënë rezultat.

Pas denoncimit të nënës së tre vjeçarit të martën, policia ka kontrolluar disa banesa në Kënetë të Durrësit aty ku jetojnë gjyshërit dhe të afërmit e tyre por nuk kanë mundur ta gjejnë të miturin.

Aksioni i policisë është shtrirë edhe në Kukës e Has, aty ku banojnë disa familjarë të gjyshërve por nuk është gjetur asnjë gjurmë.

Nëna e djalit të vogël ka ngritur dyshime se gjyshja bashkë me të miturin mund të jenë larguar drejt Kosovës, por policia ende nuk e konfirmon.

Rexhep Gjuni dhe bashkëshortja e tij e morën nipin të shtunën e 13 prillit dhe nuk e kanë kthyer më tek nëna e cila prej ditësh është ne merak për jetën e të birit.