Kina dhe Indonezia bëjnë thirrje për armëpushim në Gaza

schedule09:05 - 18 Prill, 2024

schedule 09:05 - 18 Prill, 2024

Ministrat e jashtëm kinez dhe indonezian kërkuan një armëpushim të menjëhershëm dhe të qëndrueshëm në Gaza pas një takimi në Xhakartë të enjten.

Sipas agjencisë së lajmeve Associated Press (AP), ministri i Punëve të Jashtme të Indonezisë, Retno Marsudi u tha gazetarëve se të dy vendet ndajnë të njëjtin mendim për rëndësinë e një armëpushimi dhe krijimi të një shteti palestinez.

“Jam i sigurt se Kina do të përdorë ndikimin e saj për të parandaluar përshkallëzimin,” tha Marsudi, duke shtuar se Kina dhe Indonezia “do të mbështesin gjithashtu plotësisht anëtarësimin e Palestinës në OKB”.

AP raporton se takimi u zhvillua në ditën e dytë të një turneu gjashtë-ditor gjatë të cilit ministri i jashtëm kinez Wang Yi do të vizitojë gjithashtu Papua Guinenë e Re dhe Kamboxhian.

Wang fajësoi SHBA-në për pengimin e rezolutave të armëpushimit në OKB. “Konflikti në Gaza ka zgjatur për gjysmë viti dhe ka shkaktuar një tragjedi të rrallë humanitare në shekullin e 21-të.

Këshilli i Sigurimit i OKB-së iu përgjigj thirrjes së bashkësisë ndërkombëtare dhe vazhdoi të shqyrtonte draftin e rezolutës për armëpushimin në Gaza, por SHBA vendosi veton”, tha Ëang.

SHBA vuri veton ndaj një numri rezolutash të propozuara të Këshillit të Sigurimit, sepse ato nuk lidhnin një armëpushim drejtpërdrejt me lirimin e pengjeve izraelite ose nuk dënonin sulmet e Hamasit të 7 tetorit, përpara se të lejonin një rezolutë të miratohej me një abstenim në fund të marsit.