Luftëtari vijon serinë e rezultateve negative, teksa së fundmi u mposht nga Partizani. Gjirokastritët do të rikthehen të luajnë në shtëpi të shtunën dhe synojnë ta mposhtin Teutën. Trajneri Giorgios Marantas duhet t’i bëjë llogaritë pa kapitenin, Donald Rapo. Mesfushori ka plotësuar numrin e kartonëve të verdhë dhe këtë javë i duhet të qëndrojë pushim.
Nga ana tjetër, Teuta rivale sheh t’i rikthehet i gatshëm mbrojtësi Blagoja Todorovksi. Maqedonasi mungoi ndaj Tiranës, pasi ishte ndëshkuar me karton të kuq në ndeshjen kundër Bylisit. Grupi sikurse shihet do të jetë i plotë për trajnerin Bledi Shkëmbi.
Gjithsesi ka një shqetësim para kësaj ndeshjeje, pasi janë pesë futbollistë që rrezikojnë prej kartonëve sfidën me Vllazninë. Dyshja e qendrës së mbrojtjes, Renato Arapi dhe Rustem Hoxha numërojnë nga tre kartonë të verdhë.
E njëjtë është situata edhe për mesfushorët Sherif Kallaku dhe Florent Avdyli. Listës së të rrezikuarve i është shtuar edhe Uendi Vecaj. Të pestë këta lojtarë do të duhet të jenë pak të kujdesshëm, që të mos humbin ndeshjen e radhës. /abcnews.al