Ledian Memushaj po tregon javë pas jave se është një nga lojtarët më të rëndësishëm te Pescara. Mesfushori vlonjat dha dy asiste në golat e parë në sfidën kundër Pisa, që përfundoi me rezultatin 3-0 në favor të “Delfinëve”. Sigurisht që paraqitja e tij nuk ka kaluar pa u vënë re.
Tuttomercatoweb e ka vlerësuar me notën 7.5 dhe e ka përfshirë në formacionin më të mirë të javës së 11-të në Serie B. “Padron absolut i mesfushës. I hidhur në goditjet e dënimit. Prodhon dy asiste që meritojnë duartrokitje”, shkruhet në vlerësimin për Memushajn.
KUMBULLA – Qendërmbrojtësi i Hellas Verona u aktivizua pak minuta në ndeshjen e fundit kundër Brescia. Nga Italia ende nuk ka një periudhë të qartë për rikuperimin e 19-vjeccarit që ka mahnitur me paraqitjet e tij deri më tani.
U fol fillimisht për një problem muskulor në kofshë, ndërkohë trajneri i Hellas Verona tha se ishte një problem në shpinë që nuk ishte marrë shumë seriozisht gjatë periudhës që ishte grumbulluar me Shqipërinë.
Raportohet se do të duhen disa javë për rikuperimin e Kumbullës, madje theksohet se do të rikthehet pas pushimit të kampionatit. Kjo lë të kuptohet se mbrojtësi mund të ketë humbur grumbullimin me Shqipërinë për ndeshjet me Andorrën dhe Francën. Gjithsesi priten kontrollet mjekësore për të mësuar më shumë mbi dëmtimin e të riut. /abcnews.al