Analisti Artan Shyti është një nga të ftuarit në studiot e ABC News, në emisionin “Pressing”, aty ku ka folur për disa tema. Shyti foli për kampionatin e deritanishëm në Superiore.
SUPERIORE – “Kampionat shumë interesant. Kampionati i parë pas shumë vitesh kur dy ekipet e para në tabelë kanë trajnerë të huaj. Madje, ishte dhe Vllaznia, tre trajnerë të huaj në krye të tabelës”.
KAMPIONATI – “Kam përshtypjen se kemi parë një kampionat të bukur, që për nivelin shqiptar, është goxha i luftuar. Ekipet janë aty-aty. Më tepër lajm, bën Flamurtari që është në fund, pasi bën futboll të mirë. Gjithmonë kur flasim për Flamurtarin, flasim për lekë, por unë besoj se atje luhet futboll i bukur. Më bën përshtypje dhe Skënderbeu, që është shumë poshtë.
Kemi pasur shumë gabime të arbitrave, që kanë bërë bujë dhe kanë qenë të çuditshme. Është shumë interesant Ballshi. Ne kemi një kampionat që çdo javë të surprizon. Problemi i cilësisë është gjithmonë relativ, pasi ka edhe më mirë, por ky kampionat është realisht i bukur”./abcnews.al