Ligjvënësit e Dhomës së Përfaqësuesve hodhën poshtë të mërkurën një përpjekje për të reformuar një program të debatueshëm të zbulimit amerikan, goditja e fundit ndaj përpjekjeve të kryetarit Mike Johnson për të udhëhequr një shumicë të ngushtë republikane.
Reformimi i Ligjit për Survejimin e Zbulimeve të Huaja, që njihet shkurtimisht si FISA, nuk mori mbështetjen e nevojshme në një votim 228-193, pas një paralajmërimi nga ish Presidenti Donald Trump në rrjetin ‘TruthSocial’.
Zoti Trump tha se FISA “është përdorur ilegalisht kundër meje dhe shumë të tjerëve. Ata survejuan fushatën time!!!”, shkroi ai në rrjetin social.
Një hetim i Departamentit të Drejtësisë në vitin 2019 gjeti se survejimi i ndihmësit të fushatës së zotit Trump, Carter Page vazhdoi për muaj të tërë pasi duhej të kishte përfunduar. Një pjesë e ligjit, i cili njihet gjithashtu si seksioni 702, i lejon agjencitë amerikane të zbulimit që të mbledhin të dhëna jashtë shtetit pa vendimin e gjykatës.
Por ligji është kritikuar kryesisht për taktikat që njihen si “survejime të tërthorta”, që mundësojnë mbledhjen e të dhënave për shtetasit amerikanë. Reformimi i ligjit do të kërkonte që FBI-ja të siguronte një vendim gjykate para mbledhjes së të dhënave.
Kryetari i Dhomës së Përfaqësuesve, Mike Johnson, tha për gazetarët herët të mërkurën para votimit se reforma përfshinte ndryshime gjithëpërfshirëse, që do të ndalonin hetimet e politizuara të FBI-së dhe do të parandalojnë një mashtrim tjetër si ai në rastin e Rusisë, siç u shpreh ai.
Por ligjvënësja republikane Marjorie Taylor Greene, e cila ka paraqitur një mocion procedural për ta larguar zotin Johnson nga posti i kryetarit, tha se reformat nuk ishin të mjaftueshme.
Projektpropozimi u kundërshtua nga 19 republikanë. Demokratët thanë se reformat e propozuara nuk gëzonin mbështetjen e tyre. Nëse Kongresi nuk vepron, autorizimi i programit skadon më datën 19 prill./VOA