Kampionati i futbollit amator 9×9 “FSHF Sunday League” ka mbërritur në fazën gjysmëfinale, me katër ekipet që u kualifikuan pas ndeshjeve të turit çerekfinal dhe garojnë për titullin kampion.

Kastriotët – Vila-L dhe Dajti – ATS janë çiftet që do të luftojnë për një biletë në finale. Sfidat çerekfinale dhuruan emocione, teksa biletën për në gjysmëfinale fillimisht e siguroi skuadra e ATS pasi mundi Primo MFC 2-0.

Dueli çerekfinal, Kastriotët – Immi ishte i luftuar deri në minutën e fundit dhe gjithçka u vendos nga penalltitë. Koha e rregullt e këtij takimi përfundoi 2-2, ndërsa nga pika e bardhë e penalltive u treguan më të saktë Kastriotët, duke triumfuar 5-4. Vila – L avancoi në gjysmëfinale pasi mundi ekipin e Big – Bite me rezultatin minimal 1-0, ndërsa Dajti mposhti skuadrën e Al Ar 3-1.

Sfidat gjysmëfinale do të luhen të enjten në mbrëmje më datë 11 prill në “Shtëpinë e Futbollit”. Departamenti i Futbollit Amator në FSHF ka përcaktuar edhe datën se kur do të luhet finalja për titullin kampion, që është 19 prill.

Kupa e kampionit

Çiftet Gjysmëfinaliste

Kastriotët – Vila-L         11.04.2024

ATS – Dajti                    11.04.2024

Finalja                           19.04.2024