Të gjithë janë të bindur që Kylian Mbappe do të luajë një ditë për Real Madrid. Ylli francez dëshiron t’i hedhë hapat një nga një, ndërsa Florentino Perez nuk do të dorëzohet kurrë derisa t’ia dalë ta transferojë sulmuesin francez në “Santiago Bernabeu”.
I këtij mendimi është edhe Vadim Vasilyev, ish-zv presidenti i Monacos. Klubi nga Principata shiti 20-vjeçarin te PSG verën e vitit 2018. Në garë ishte edhe Reali, por Mbappe preferoi klubin parisien. Vasilyev shpjegon shkakun në një prononcim për Telefoot dhe jep mendimin e tij rreth të ardhmes së kampionit të botës.
“Mbappe kishte mundësi për t’u transferuar te Real Madrid në vitin 2017, por më tha se nuk ndihej gati dhe se ishte shumë shpejt për të kryer këtë transferim. Dëshironte të luante ende në Francë dhe të bëhej një futbollist i madh.
Isha dakord me të, nuk ishte momenti i duhur për të bërë kapërcimin e madh. Jam i sigurt që një ditë do të transferohet në Madrid dhe publiku i ‘Santiago Bernabeut’ do ta duartrokasë“, thekson ish-zv presidenti rus. /abcnews.al