Piktori i njohur, Ali Oseku do të kujtohet gjatë nga breza e breza me radhë, jo vetëm ata që e adhuruan vepren e tij, por dhe nga ata që morën dije.
Piktori Petraq Papa tha i emocionuar në emisionin “Pas Mesnate”, se frymëzues si ai nuk vijnë më dhe kjo dallohet te studentët, të cilët nuk do ta harrojnë asnjëherë.
“Ka shumë pedagogë që kanë dalë në pension, që kanë lënë gjurmën e tyre kur kanë dalë nga kjo shkollë dhe që studentët i kujtojnë me shumë nostalgji dhe mall. Por unë jam i bindur që edhe sot po të pyesësh një prej tyre, apo po të shohësh te holli ku ne po bëjmë homazhet ka studentë pafund. Ka studentë që nuk e harrojnë se ishte një frymëzues shumë i madh, ashtu siç ia gjente telat, siç i ngacmonte Aliu, nuk e bëjnë dot. Ka lënë një gjurmë të jashtëzakonshme, unë e them me bindje këtë nga ana ime që është boshllëk i madh në artin shqiptar, do na mungojë shumë”.
Ndërsa, studiuesi i artit, Ermir Hoxha u ndal te krijimtaria e Osekut, e cila ndahet në dy pjesë, para dhe pas viteve ’90, që padyshim do të mbetet e përjetshme.
“Krijimtaria e profesor Aliut ndahet në dy pjesë, para dhe pas viteve ’90. Vetëm se e gjithë periudha para viteve ’90 është e padëshmuar fare, sot ne nuk kemi vepra, në mos kemi shumë pak, kemi disa skenografi të mbijetuara, pjesa tjetër është zhdukur, është klasifikuar si prova materiale për burgosjen e artistit. Ai ishte skenograf asaj kohe në Teatrin e Operave dhe Baletit, i angazhuar si i tillë për sjelljen, për veprimtarinë kundër regjimit dhe siç e përkufizonte shteti i asaj kohe për gjithçka kundra, ai për këto u dënua. Fati i tij ishte që pas viteve ’90, ai pati mundësi të rindërtonte krijimtarinë e tij dhe si pasojë dhe si kundërpërgjigje të asaj që kishte ndodhur në kohën e komunizmit”./abcnews.al


