“Gjërat Tona”/ Armët e grupeve kriminale

schedule20:31 - 31 Mars, 2024

schedule 20:31 - 31 Mars, 2024

Për vite me radhë vrasjet që ndodhnin i kemi lidhur me armatosjen e popullatës gjatë hapjes së depove ushtarake në vitin 1997.

Madje në shumë analiza që Policia zhvillonte, atëherë kur kurba e kriminalitetit rritej vit pas viti, dukej se vrasjet me armë zjarri ishin të lidhura pazgjidhshmërisht me “Kallashnikov”-in dhe pistoletën “TT”.

Statistikat zyrtare flisnin për 549 mijë e 775 armë, rreth 840 milionë fishekë dhe 16 milionë eksplozivë të grabitur në vitin 1997. Deri vonë, llogariteshin që 325 mijë armë zjarri mbahen ende në mënyrë të paligjshme.

Një numër i tillë armësh, në duart e popullsisë civile, e bënte të pamundur mbledhjen e tyre vetëm me aksione Policorë. Vit pas viti u përdorën forma të ndryshme, kryesisht amnisti, për të nxitur qytetarët që të dorëzojnë vullnetarisht armët dhe municionet, pa i ngarkuar me përgjegjësi penale.

Megjithatë vit pas viti krimi ka arritur në një tjetër nivel. Nuk bëhet fjalë më për banda si dikur. Tashmë flitet për grupe kriminale, madje edhe organizata të krimit të organizuar. E këto grupe përdorin mjete dhe armë më të sofistikuara, jo më atë klasiken, siç është “Kallashnikov”-i apo “TT”-ja.

E në kushtet kur bëhet fjalë për arë të tilla si snajper i një precizioni të lartë, pistoletave me kalibra të ndryshëm, pajisje për armë të gjata të goditjeve në distancë, sigurisht që del në skenë një tjetër veprimtari kriminale.

Trafikimi i armëve të zjarrit.

Grupet e organizuara kriminale shpesh mbështeten në disponueshmërinë e armëve për të kryer aktivitetet e tyre. Megjithatë, tregu i armëve të zjarrit në Bashkimin Europian mbetet modest. Trafikimi ndodh në një shkallë të vogël dhe armët e trafikuara janë të destinuara ose për përdorim personal ose për të përmbushur porositë specifike.

Vitin e kaluar, Europol mbështeti një operacion të gjerë që u iniciua nga Rumania dhe Bullgaria, ku mes 31 vendeve që u angazhuan në goditjen e rrjeteve të trafikut të armëve ishte edhe Shqipëria.

Trafikimi i armëve është një burim të ardhurash plotësuese dhe jo parësore për disa grupe të organizuara kriminale. Shumica e tyre hyjnë në biznesin e trafikut të armëve përmes aktiviteteve të tjera kriminale, të cilat mund të ofrojnë kontakte, njohuri për rrugët ekzistuese dhe infrastrukturën e lidhur me trafikun ilegal të armëve.

Armët dhe grupet e organizuara kriminale të përfshira në këtë trafik e kanë origjinën kryesisht nga Ballkani Perëndimor. Armët zakonisht janë mbajtur ilegalisht pas konflikteve në Gadishull, dhe ish-Bashkimit Sovjetik. Grupet përdorin rrugët ekzistuese kriminale për të trafikuar armë.

Çmimet e armëve dhe municioneve në tregun e brendshëm ndryshojnë në kohë dhe sipas llojit të armës. Një pistoletë “Zastava”, në vitin 2009, kushtonte rreth 21 mijë lekë, në vitin 2011 shitej 70 mijë lekë ndërsa vitet e fundit një pistoletë e tillë, e kalibrit 7.65 milimetër, e pajisur me silenciator, shkon nga 1200 deri në 1700 euro. Një pistoletë “Mini Blow” kushton të paktën 500 euro, ndërsa një pistoletë e tipit “Beretta” mund të kushtojë më shumë se 2000 euro.

Një automatik “Kallashnikov” mund të blihet me 50 mijë lekë. Ndërsa një automatik MP5 apo Skorpion me silenciator shiten për 2000 – 2500 euro. Më të shtrenjta janë pushkët snajper dhe minat e telekomanduara, që kushtojnë përkatësisht nga 3000 dhe 4000 euro.

Logjistika e krimit të organizuar, vit pas viti sa vjen e bëhet më e sofistikuar. Dy janë elementët kryesore që e bëjnë më të fuqishëm një grup apo organizatë kriminale: Financat dhe armët. Kjo është arsyeja pse organet ligjzbatuese synojnë këto dy elemente si më kryesorët për goditjen e krimit. Sekuestrimin e aseteve kriminale dhe armët që përdoren.

Brenda 72 orëve, Policia e Vlorës dhe Policia e Durrësit kanë zbuluar 3 baza armatimi, që dyshohet se furnizonin grupet kriminale. Më e madhja u zbulua në Babicë të Vlorës dhe Policia tha se personi i arrestuar ishte pjesë e një grupi kriminal. Ndërsa në Shkallnur të Durrësit, Policia veproi përmes blerjes së simuluar, duke zbuluar edhe një tjetër bazë në Sukth. Armët e sekuestruara po analizohen në Laboratorin e Kriminalistikës për të mësuar nëse janë përdorur në krime të tjera.

Por kush janë personat e arrestuar dhe për cilat grupe kriminale vepronin? Si blihen këto armë dhe cili është mekanizmi i përdorur nga Policia që çoi në zbulimin e bazës në Shkallnur të Durrësit dhe atë në Babicë të Vlorës?

“SUNDIMI I LIGJIT”

Nëntorin e vitit 2023, drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit miratoi një plan operacional të quajtur “Sundimi i ligjit”. Ky plan synon kapjen e personave të shpallur në kërkim, të atyre që qarkullojnë me armë zjarri dhe të atyre që mbajnë në banesë armë, municion ose drogë.

Në nisje të këtij operacioni u përfshinë 1852 punonjës policie, nga Forcat e Sigurisë Kombëtare, Reparti Special RENEA, Drejtoria e Forcës së Posaçme Operacionale dhe strukturat e drejtorive vendore të Policisë.

Operacioni kulmoi në Laç, më 5 dhjetor 2023. Forcat speciale zbarkuan në Fushë – Kuqe, zonë që lidhet me emra të rëndësishëm të botës së krimit, si Ervis Martinaj apo Gëzim Çela.

Një shtëpi e vjetër në atë zonë, rezultoi të ishte kthyer në një bazë armatimi dhe mjetesh të tjera që përdoreshin nga grupet kriminale. Aty u gjetën motorë, makina, targa që u ishin vjedhur mjeteve të ndryshme të Shqipërisë dhe në Kosovës. Ndërsa u gjet edhe 400 gramë eksploziv me fitil zjarrpërcjellës, e gatshme për shpërthim, si dhe kapuçë si maska, doreza dhe skafandra motomjetesh, veshje për kamuflazhi, e objekte që shërbejnë për realizimin e ngjarjeve të ndryshme kriminale.

Policia:

“Në kuadër të operacionit të koduar “Sundimi i ligjit” dhe si rezultat i hetimeve të thelluara që po kryhen intensivisht për të zbardhur ngjarjet e rënda kriminale të ndodhura së fundi, specialistët e seksioneve për Hetimin e Krimeve ndaj Jetës dhe Pronës, dhe për Hetimin e Trafiqeve të Paligjshme, me mbështetjen dhe të informacioneve të siguruara nga inteligjenca policore, kanë bërë të mundur parandalimin e ngjarjeve të tjera të rënda kriminale, pasi kanë zbuluar një ambient ku mbaheshin një sërë mjetesh dhe sendesh që do t’iu shërbenin grupeve kriminale”.

Për atë bazë të zbuluar nga Policia e Lezhës, sot vijon të mbahet në burg, 40-vjeçari Aleks Lulashi, i akuzuar për “Sigurim të kushteve dhe mjeteve për të kryer vrasje”, “Trafikim i mjeteve motorike”, “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe municionit” dhe “Vjedhje”.

Zbulimi i kësaj baze kriminale erdhi vetëm pak ditë pas vrasjes së Entjan Nikulajt, i cili u ekzekutua mbrëmjen e 2 dhjetorit të vitit 2023 brenda në makinë teksa lëvizte në hyrje të qytetit të Lezhës. Autorët e vrasjes dyshohet se janë vrasës me pagesë, të cilët aktivitetin kriminal e kanë kryesisht në zonën e Fushë – Krujës dhe Kurbinit, ku edhe është zbuluar baza e grupeve kriminale. Viktima ishte i afërm i biznesmenit Ardian Nikulaj të vrarë me 19 prill 2023 në lokalin në pronësi të tij në Shëngjin.

Por ky ishte vetëm starti i një aksioni që javë pas jave do të nxirrte në dritë shtëpi e baza të tjera armatimi. E në kushtet kur nuk jemi në gjendje lufte,  atëherë duket se janë grupet kriminale ato që i kanë shpallur luftë njëri-tjetrit. Në një vend ku ka kaq shumë armë për të ofruar, rrjedhimisht duhet të ketë edhe kërkesë të madhe për to. Tashmë kjo i mbetet Policisë dhe Prokurorisë për t’i zbuluar.

ARMËT SPECIALE TË VLORËS

Për vite me radhë Vlora ka mbajtur vendin e parë si një ndër qytetet më problematike në lidhje me veprimtaritë e grupeve kriminale. Atje ka një prani jo vetëm të organizatave kriminale të qytetit dhe fshatrave përreth, por edhe investime të organizatave të tjera, ku kryesisht dominojnë organizatat kriminale. Krimi i organizuar në Vlorë është i fokusuar kryesisht në trafikun e narkotikëve dhe pastrimit të parave, me investime kryesisht në fushën e turizmit.

Vlora, sikurse dhe Durrësi apo dhe qytete të tjera portuale, shërben kryesisht si zonë transiti për trafikimin e narkotikëve për në Bashkimin Europian. Megjithatë, përveç trafikimit të narkotikëve, zonat përreth qytetit, sidomos ato në Lumin e Vlorës, kanë shërbyer edhe për kultivimin e kanabisit.

Në raportin vjetor të Prokurorisë së Përgjithshme për kriminaliteti gjatë vitit 2021, Vlora ishte një nga qytetet me numrin më të madh të vrasjeve. Koeficienti i kriminalitetit për 100 mijë banorë atje, ishte 1509.

Por në vitet pasuese, kurba e krimit nisi zbritjen dhe duket se qyteti i Vlorës ra në një qetësi, që nuk dukej e zakontë për vendin. Aq sa të gjithë nën zë flisnin për frikën e asaj qetësisë para stuhisë. Dhe një bazë armatimi special e zbuluar më 7 mars 2024 në Babicë të Madhe, duket se flet pikërisht për këtë stuhi, që të paktën Policia atje thotë se e ka parandaluar.

Vrasjet në qytetin e Vlorës kanë qenë të shumta deri dy vite më parë dhe përgjithësisht nuk ndodhnin për çështje territori, por për zonat e influencës në rrjetet ndërkombëtarë të narkotikëve dhe armëve në vendet e BE, kryesisht në Spanjë dhe Itali. Në këtë drejtim, vijon të mbetet një ndër qytetet më problematike në lidhje me krimin e organizuar.

Për një kohë të gjatë përflitej se Vlora ka qenë qytet i “preferuar” i Mafies Italiane dhe mendohet se ka investuar miliona aty kryesisht në fushën e kulinarisë dhe kazinove. Në vitin 2010 në këtë qytet është arrestuar Albino Prudentino, një ndër drejtuesit e Sacra Corona Unita.

Si një vend specifik për trafiqet dhe me një traditë me gomone drejt Italisë, Vlora u kthye në një vend ku laheshin hesapet e prishura jashtë, por edhe brenda vendit.

Pothuajse çdo vit, atje ndodh një krim që mbahet mend gjatë. Një vrasje e frikshme që shënjon historinë e kriminalitetit atje, është padyshim edhe ekzekutimi i Bledar Birçajt, më 10 maj të vitit 2021. Makina e tij u sharrua nga plumbat e një “skuadre speciale” vrasësish, që ende edhe sot nuk dihet se kush janë.

E po ashtu, edhe vrasja e parë e vitit 2024 ndodhi po në Vlorë. Ekzekutimi me snajper i Gëzim Sinomatajt, djalit të një ish-eksponenti të bandës së Gaxhait, ka nxitur dhjetëra aksione Policore, një prej të cilëve ishte edhe ai i 7 marsit në Babicë. Atje nuk u zbulua vetëm një bazë armatimi special, por një bazë logjistike, me të gjitha mjeteve që i nevojiten grupeve kriminale për realizimin e krimeve.

Armët e Sekuestruara

Një snajper i kalibrit 7.62 milimetër, e montuar ne gjendje luftarake me silenciator

Pjesë përbërëse arme luftarake për formimin e 2 armëve të tjera pushkë snajper

Një pistoletë “Zastava”, e kalibrit 10 milimetër, me dy krehra me fishekë

Një pistoletë stilolaps me sasi prej 40 fishekësh të kalibrit 5.6 milimetër

Një armë e futur në këllëf, e kalbrit 12 milimetër, e prodhimit Rus

Dy kuti plastike me material ndihmës për mirëmbajtjen e armëve snajper

Një minë e përshtatur me celular dhe eksploziv plastik, si dhe 7 kallepë lëndë eksplozive plastik te kapaciteteve 200 dhe 400 gramë

Katër silenciatorë me trup metalik për armë te gjata

Një dylbi optike termike, me gjatësi 41 centimetër me shikueshmëri natën

Katër dylbi optike si ato që vendosen në armët e zjarrit për shënjestër në largësi

Dy palë dylbi optike vëzhgimi

Aksesorë plotësues për shënjestra optike të armëve të zjarrit

Një kuti plastike me 200 copë fishekë të kalibrit 9 milimetër

Një sasi e madhe fishekësh të kalibrit 7.65 milimetër dhe 45 krehra automatiku  me fishekë të kalibrit 7.62, model 56 dhe një sasi e madhe fishekësh të po këtij kalibri

Një sasi e madhe fishekësh të kalibrit 12 milimetër

Mijëra fishekë luftarakë të kalibrave të ndryshëm dhe ndezësa granatash dore

Disa aparate telefonik celular që do i nënshtrohen ekspertizës

Një radio marrëse-dhënëse, me karikuesin e saj, në valë të Drejtorisë së Policisë Vlorë

Një pajisje me antenë me mbishkrimin DETECTOR

Njësi qendrore kompjuteri

Një numër i madh targash automjetesh dhe çelesash të ndryshëm automjetesh

Disa maska me ngjyrë të zezë dhe maska silikoni me imazhin e kokës së njeriut

Disa fenelina policie e veshje të ndryshme

Gjatë operacionit të 7 marsit, Policia e Vlorës dhe RENEA mësynë në një vilë dykatëshe në Babicë, ku në tavanin e saj ishte fshehur një depo e vërtetë armatimi të sofistikuar.

Snajpera të montuar në gjendje luftarake, pistoleta “Zastava”, qindra fishekë, minë e përshtatur me celular dhe kallëpe lëndë eksplozivi plastik, silenciatorë për armët, dylbi optike, radiomarrëse me valët e Drejtorisë së Policisë Vlorë, targa dhe çelësa makinash, maska, fenelina dhe veshje të ndryshme kamuflazhi.

Mes armatimit nuk mungonte dhe një pistoletë stilolaps me fishekë. Si posedues të këtyre armëve, Policia arrestoi Luçiano Derajn, i njohur edhe me emrin Albano, që sipas drejtorit të Policisë së Vlorës, Ermal Muçaj, rezulton anëtar i një grupi kriminal, i dyshuar për dy veprave të rënda kriminale ndodhur disa kohë me parë në Vlorë. Ndërsa armët e sekuestruara dyshohet të jenë përdorur në 2 ngjarje të mëparshme kriminale në qytetin e Vlorës.

Ermal Muça

Strukturat e Drejtorisë Vendore të Policisë Vlorë me mbështetjen e Forcave Speciale RENEA , janë përfshirë në veprime të thelluara hetimore dhe operacionale, për të bërë të mundur parandalimin e ngjarjeve kriminale, dokumentimin e aktivitetit të grupeve kriminale, identifikimin e anëtarëve të tyre dhe vënien përpara drejtësisë.

Falë informacioneve të siguruara dhe të vërtetuara në rrugë operative, për subjektin Luçiano Deraj alias Albano Deraj, banues në Babicë të madhe Vlore, nën hetim nga ana jonë për kryerjen e dy veprave te renda kriminale ndodhur disa kohe me pare ne Vlore, i cili posedonte një arsenal armësh, municonesh luftarake dhe lëndë shpërthyese, për llogari te tij dhe personave te trete anëtare të një grupi kriminal ne qytetin e Vlorës te cilit i atribuohen disa ngjarje kriminale. Ne kuadër të këtij operacioni i cili u zhvillua ne orët e para te mëngjesit ne rrethinat e Vlorës dhe qytet u be e mundur kapja dhe arrestimi shtetasit të mësipërm dhe sekuestrimi një sasie të madhe armatimi

Drejtori i Policisë së Vlorës, përmendi edhe dy operacionet e mëparshme të kësaj natyre, të koduar “Knock Out 4” dhe 5, të finalizuar gjatë muajit shkurt, ku në bashkëpunim me Prokurorinë, u sekuestrua një tjetër arsenal armësh zjarri: një minë me telekomandë, 5 kallepë tritol, 7 kapsolla detonatore, 4 armë zjarri automatike, një armë zjarri imituese, 12 krehra armësh, rreth 800 fishekë, një jelek antiplumb, të cilat, bazuar në inteligjencë informative, dyshohet se do përdoreshin për ngjarje kriminale, për llogari të grupeve kriminale.

Për bazën e armëve në Babicë të Vlorës, tashmë në burg po mbahet vetëm një i akuzuar, Luçiano Deraj, edhe pse Policia është e bindur që nuk është i vetmi që fshihet pas saj. Deraj ishte person në kërkim nga Policia e Vlorës por më herët kishte qenë i arrestuar edhe në Itali për drogë dhe armë.

Konkretisht, ai ishte arrestuar më 20 tetor të vitit 2014, bashkë me dy shqiptarë të tjerë, Ervin Lushaj dhe Nertila Meçajn. Ata kishin mbërritur nga Genova me një BMË, me targa shqiptare. Në momentin që po ndiqeshin nga Policia italiane, vajza ka qenë në drejtim të makinës dhe ndaloi në zonën jugore të qytetit për të marrë një tjetër shqiptar, Voglush Lazajn, i cili ishte kontakti i tyre nga Torino. Ata nxjerrin një pistoletë “Beretta” të kalibrit 7.65, me numër serie të gërvishtur dhe të denoncuar të vjedhur nga një vilë në një kodër në Torino, për t’i bërë të qartë pasagjerit të ri që situata ishte serioze. Pas përfundimit të negociatave, arma mbeti mes sediljeve, ku edhe u gjet më pas nga Policia.

Pas disa xhirosh nëpër qytet, në mënyrë që të ishin të sigurt që s’po i ndiqte njeri, të katërt nisen drejt një zone tjetër, ku një bashkëpunëtor i Voglush Lazajt kishte lënë një “Ford Focus”, e cila u përdor nga 4 shqiptarët për të arritur në një objekt në “Via Varazze”. Sapo hipin në makinë, ishte radha e Lazajt që t’u kthente reston, duke qëlluar me një armë “Bernardelli”, të kalibrit 7.65, për t’ua bërë të qartë se as ai nuk bënte shaka. Ajo armë, plumbi i nxjerrë prej saj dhe një çantë me 30 fishekë u gjetën nga Policia pak më vonë.

Pas disa xhirove të tjera, ndalesa e radhës ishte shumë e shkurtër, aq sa për të shkarkuar drogën, 34 kilogramë marijuanë të ardhur nga Liguria. Voglush Lazaj ishte një personazh që nuk u besonte bashkatdhetarëve. Për këtë qëllim, ai kishte lënë pas derës së përparme një armë gjahu dhe një karabinë. Për më tepër, ai kishte futur në mikrovalë një pistoletë qensh të modifikuar për të qëlluar dhe një tjetër krejtësisht identike me origjinalen. Pas daljes nga baza, të katërt janë drejtuar drejt qendrës, të ndjekur nga agjentët e Narkotikëve. Policia ka ndërhyrë kur makina “Ford Docus” ka kaluar pranë parkut “Valentino” për disa sekonda. Pavarësisht se arma ishte e mbushur dhe gati për qitje, trafikantët nuk patën kohë as të reagonin. Të katërt përfunduan në pranga.

Luçiano Deraj, iu rikthye aktivitetit në Shqipëri pasi përfundoi dënimin në Itali. Edhe në Vlorë, ka dyshime se ai ka qenë i përfshirë në ngjarje kriminale dhe dyshohet se ishte pjesë e një grupi që vepron atje. Megjithatë Policia është e rezervuar rreth detajeve konkrete, duke u mjaftuar vetëm me faktin se me zbulimin e kësaj baze armatimi të sofistikuar, janë parandaluar ngjarje të rënda që mund të ndodhnin në Vlorë dhe jo vetëm.

BAZAT E ARMËVE NË DURRËS

Qyteti i Durrësit është i njohur për një aktivitet të gjerë kriminal, kjo edhe për shkak të aksesit që ofron në tregun ndërkombëtar porti i Durrësit, i cili është porti më i madh në vend. Gjithashtu, në këtë qytet kryqëzohen rrjetet kriminale, që janë të shpërndara pothuajse në të gjithë vendin. Në Durrës mendohet që të kenë investime shumë grupe kriminale, të cilët vijnë nga i gjithë vendi. Nga ana tjetër, qyteti bregdetar shërben edhe si pikë takimi apo edhe strehimi për shumë prej anëtarëve të këtyre grupeve dhe drejtuesve të tyre.

Për këtë arsye është e vështirë të përcaktosh cilat janë organizatat kriminale “autoktone” që veprojnë në këtë qytet. Karakteristikë është që grupet që merren me trafikun e narkotikëve në Durrës janë në numër të vogël anëtarësh dhe kryesisht trafikojnë narkotikë për në Itali. Por si në çdo rast, kur futet droga në mes, nisin dhe përplasjet e ashpra mes grupeve për prishje pazaresh që edhe atje kanë shkaktuar shumë viktima.

Nga ana tjetër, grupe shumë të rrezikshme kriminale përflitet të jenë aktivë në zonat përreth qytetit. Këto grupe janë të strukturuara dhe të mbështetura në lidhje familjare dhe shoqërore. Kanë territore të përcaktuara qartë, të cilat i kontrollojnë, dhe kanë lidhje me organizatat e fuqishme kriminale që veprojnë kryesisht në Tiranë, Durrës, Kavajë, Peqin, Elbasan dhe Krujë.

Kohët e fundit, Policia e Durrësit është angazhuar maksimalisht në parandalimin e ngjarjeve të rënda kriminale. Pas zbulimit të bazës së armëve në Vlorë, një tjetër depo që furnizon grupet kriminale me armatime është zbuluar në Shkallnur të Durrësit, më 9 mars. Në pranga u vunë Hekuran Troplini, 19 vjeç dhe Emiliano Pasha, 20 vjeç. Ata u arrestuan pasi u kapën me armë, që ua shisnin grupeve kriminale. Armë që nuk hezitonin ti ekspozonin edhe nëpër rrjetet sociale, duke pozuar vetë me to në duar.

Ndonëse nuk ishin armë të sofistikuara si ato të Vlorës, edhe kjo bazë armatimi në Durrës, shërbente për të furnizuar grupet kriminale. Në fotot që ekspozonin në rrjetet sociale dy të rinjtë mbanin armët në duar me doreza, për të mos lënë shenjat e gishtërinjve. Të njëjtin kujdes tregonin edhe gjatë momentit kur çonin armën e porositur tek personi i interesuar. Armës i hiqnin shulin dhe e fshihnin në pjesë të vjetra makinash më mënyrë që edhe nëse do të kapeshin nga Policia ekspertiza të mos e nxirrte armën në gjendje funksionale. Pjesa e hequr e armës i dërgohej në një moment tjetër personit që kishte blerë armën.

Dy të rinjtë u arrestuan gjatë një afere për shitjen e 4 “Kallashnikov”-ëve përmes një shitje të simuluar të organizuar nga agjentët e Policisë. Sipas Policisë ata shfrytëzonin zonat periferike për të shitur armatime dhe municione. Brenda në bazën u sekuestruan 4 “Kallashnikovë” me 20 krehra, qindra fishekë luftarak, 1 motomjet, rreth 64 mijë lekë dhe një sasi lënde narkotike, kanabis sativa.

Policia kishte ngritur kurth për të zbuluar bazën e armatimeve në Shkallnur. Një efektiv policie ka organizuar një blerje të simuluar të armëve. Pasi është rënë dakord është caktuar dhe ora dhe vendi se ku do të bëhej blerja, në momentin e shkëmbimit është bërë ndërhyrja për arrestimin e autorëve. Më parë Policia kishte marrë informacion në rrugë operative për aktivitetin kriminal.

E duket se zbulimi i kësaj baze në Shkallnur, çoi edhe në zbulimin e një tjetër pike ku mbaheshin armë zjarri. Kësaj here në Sukth.

Në kuadër të operacionit ‘Hills 2’, më 11 mars, Policia e Durrësit zbuloi një bazë ku mbaheshin armë zjarri, sasi e madhe fishekësh të kalibrave të ndryshëm dhe sende të tjera të kundraligjshme që dyshohet se do t’i shërbenin grupeve kriminale.

Nga kontrollet në banesën e Adem Salillarit, i cili u arrestua, u gjetën një “Kallashnikov”, një granatë, ndezës granate, një palë dylbi snajperi, krehër arme, një rrip ushtarak me fishekë dhe mijëra fishekë të tjerë të kalibrave të ndryshme.

Por pas Vlorës dhe Durrësit, tashmë është radha e Shkodrës. Aty ku mbrëmjen e 12 marsit ndodhi një atentat, ku mbetën të plagosur 2 persona, në fshatin Grudë e Re.  Afro 100 plumba u zbrazë drejt tyre, por fatmirësisht mbijetuan.

Gjergj Ndërshtiqaj duket se ishte shënjestra e atentatit, ku ai dhe kunati i tij, Gjon Nika u shpëtuan mrekullisht plumbave. Prej dy vjetësh Ndërshtiqaj ishte dronist i Policisë së Shkodrës, dhe ka filmuar hapësira të tëra në Malësi, ku janë zbuluar edhe parcela më kanabis. Vitin e fundit, Gjergj Ndërshtiqaj, kaloi specialist në zonën e Shoshit, ku për shkak të profesionit, posedonte informacione në lidhje me fushën e drogës.

Ndërshtiqaj, është dhe vëllai i Marjan Ndershtiqaj drejtor i Drejtorisë Rajonale të Shërbimeve të Transportit Rrugor në Shkodër. Policia deri tani nuk ka gjetur element që e lidh atentatin, me zyrtarin e lartë. Megjithatë, kjo është një nga pistat që po hetojnë specialistët e antikrimit, pa përjashtuar, konflikte të tjera, apo aktivitetin e personit e dytë Gjon Nika.

Ngjarja vijon të jetë pa autor. Ndërsa provat kryesore të lëna në vendngjarje janë gëzhojat e armëve të përdorura, plot 100.

Por armët e Shkodrës në fakt u kapën në Tiranë.  Pesë të rinj, mes të cilëve edhe një gardiane burgu, u vunë në pranga, teksa shkëmbenin 9 armë zjarri, më 26 mars.

Gjatë operacionit të koduar “Repishti”, në një parking pranë rrugës së Rinasit, Policia sekuestroi 4 automatikë dhe 5 pushkë, me krehrat e municionin përkatës.

Pas informacioneve se disa persona po transportonin armë zjarri nga Shkodra drejt Tiranës, me qëllim shitjen e tyre, Policia ka organizuar forcat për arrestimin e tyre. Në pranga kanë rënë: Denisa Halilaj, 22 vjeçe, police e burgut të Shkodrës, Denis Hasaj, 22 vjeç, Marjan Hasaj, 26 vjeç, Redi Nika, 18 vjeç dhe Sabian Hasa, 22 vjeç. Këta persona kanë qenë duke lëvizur me dy makina, një “BMW” dhe “Golf”. Në mjetin tip “BMW”, që drejtohej nga Marjan Hasaj, ndodheshin edhe Sabian Hasa dhe Redi Nika, që sipas Policisë kishin rolin e monitorimit të rrugës, për të parë lëvizjet të patrullave të Policisë derisa të mbërrinin nga Shkodra në Tiranë. Tek “Golfi”, ndodhej gardiania Denisa Halilaj dhe Denis Hasaj . Në bagazhin e kësaj makine, e cila lëvizte në distancë të afërt me mjetin e parë u gjetën edhe 9 armët dhe municionet

E ashtu siç ndodh me çdo provë krimi, edhe në rastin e armëve, sytë drejtohen tek Kriminalistika. Tashmë është radha e Policisë Shkencore. Në laborator po ekzaminohen të gjitha armët e sekuestruara në Vlorë e Durrës. Fjalën ne fundit e japin ekspertët, që do të përcaktojnë nëse këto armë janë përdorur apo jo në ngjarje që edhe sot vijojnë të jenë pa autor.

Por përveç rëndësisë së zbulimit të një ngjarje kriminale, duket së po kaq me rëndësi është edhe parandalimi i një krimi. Në rastin e zbulimit të armëve në Babicë të Vlorës, Policia më shumë se ka zbuluar, ka parandaluar. Aty kishte gjithçka të nevojshme për realizimin e një krimi. Që nga makina e vjedhur, targa po ashtu, veshje kamuflazhi, maska dhe armë të modeleve të ndryshme me precizion të lartë e të pagabueshme. Aty ishte e gjithë logjistika e krimit të organizuar. Policia duket se u hoqi nga duart armët, tashmë duhet shkuar tek ata që mund t’i përdornin. Me heshtjen e të vetmit person të arrestuar, kjo duket thuajse e pamundur, por jo e paarritshme.

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!