Gjashtë të zhdukur nga shembja e urës në Baltimore, vazhdojnë hetimet

schedule10:19 - 27 Mars, 2024

schedule 10:19 - 27 Mars, 2024

Gjashtë persona konsiderohen të zhdukur pas shembjes së urës në Baltimore, ndërsa kërkimet do të vazhdojnë gjatë ditës së stotme.

“Bazuar në kohëzgjatjen e kërkimeve që janë kryer, temperaturën e ujit, tani vlerësojmë se nuk do t’i gjejmë këta njerëz të gjallë,” tha zëvendësadmirali i Rojës Bregdetare Shannon Gilreath gjatë një konference për shtyp.

Pas shembjes së urës Francis Scott Key në Baltimore Harbour në shtetin amerikan të Maryland, autoritetet nisën kërkime ajrore, detare dhe madje edhe nënujore dhe arritën të gjejnë dy të mbijetuar, njëri prej të cilëve është në gjendje të rëndë.

Gjashtë të zhdukurit janë punëtorë që po kryenin punimet e ndërtimit të rrugës në urë në momentin që ajo u shemb. Anija me kontejnerë Dali 300 metra e gjatë sapo kishte nisur një lundrim 27-ditor nga porti i Baltimores me destinacion Sri Lanka.

Ura Francis Scott Key 2.6 km e gjatë është pjesë e rrugës kryesore që lidh shtetet veriore dhe jugore të SHBA-së në bregun lindor të vendit.

Për më tepër, qasja në portin e Baltimore nuk është më e mundur për shkak të rrënojave të urës dhe transporti detar atje është “pezulluar deri në një njoftim tjetër”, sipas autoriteteve.

Porti i Baltimores është më i rëndësishmi në SHBA për sa i përket ngarkesave të makinave. Sipas të dhënave të autoritetit portual, vetëm në vitin 2022 kanë kaluar më shumë se 750 mijë automjete.

Është gjithashtu një nga eksportuesit më të mëdhenj të qymyrit.

Mbyllja e këtij porti të madh në Bregun Lindor të SHBA-së mund të prishë zinxhirin e furnizimit për produkte, nga makinat tek qymyri e deri te sheqeri, që do të thotë se vonesat dhe kostot do të rriten.

/abcnews.al