Në procesin që po mbahet në Gjykatën e Posaçme ndaj ish-ministrit të Mbrojtjes, Fatmir Mediu për dosjen “Gërdeci”, u paraqit për të dëshmuar Mihal Delijorgji, ish-administrator i kompanisë “Alba Demil”.
Ai refuzoi të dëshmojë në seancë duke shfrytëzuar të drejtën që i jep ligji. Më pas avokatët dhe prokuroria kërkuan që të administrohen në dosje dëshmitë e dhëna prej tij në procesin e parë si person nën hetim dhe i pandehur.
Edhe në senacën e së mërkurës nuk u paraqit Anjola Agolli, ish-sekretare e ministrisë së Drejtësisë si dhe ish-shefi shtabit Luan Hoxha dhe Denis Hajdari.
Për këtë të fundit, Prokuroria e Posaçme kërkoi shoqërimin e detyrueshëm pasi ka marrë dijeni dhe nuk është paraqitur.
Nga ana tjetër për Luan Hoxhën e Anjola Agollin, gjykata urdhëroi të vijojnë hetimet.
Ndërsa ish-ministri Mediu i kërkoi Gjykatës të sqaronte vendimin që ka marrë për mënyrën e marrjes së dëshmive të shtetasve amerikanë me videokonferencë, ndërsa gjykata tha se deri më tani është në fuqi vendimi që dëshmia e tyre të bëhet me letërporosi.
Seanca e radhës u la me 9 prill në orën 9:00. Mediu akuzohet për shpërdorim detyre dhe shpërdorim detyre në bashkëpunim me kuadër komandues ushtarak./abcnews.al