Kombëtarja U21/ Zhgënjejnë “Shpresat”, djemtë e Bushit munden thellë nga “Helvetët”

schedule19:16 - 26 Mars, 2024

schedule 19:16 - 26 Mars, 2024

Ishim shumë të karikuar për një rezultat të madh, por në fushën e blertë nuk i plotësuam pritshmëritë. Kombëtarja U21 e drejtuar nga tekniku, Alban Bushi “ra” totalisht, në “mitikun” e Tiranës, “Air Albania”, përballë “Helvetëve” të Zvicrës U21, të cilët fituan me rezultatin e thellë, 3 me 1, sfidën e vlefshme, për fazën kualfikueseve të Kampionatit Evropian U21, Euro 2025.

Pavarësisht rezultatit, të parët që sulmuan ishin “Shpresat” tona, me djemtë e Bushit, që kërcënuan herët portën kundërshtare, por pa arritur të gjenin golin, gol, që më në minutën e 28’-të u realizua nga kundëpërgjigjja e “Helvetëve”, me anësorin Franck Surdez, që dërgon topin në rrjetë, për të mbyllur në avantazh pjesën e parë të sfidës.

Me nisen e fraksionit të dytë të sfidës, Zvicra shënoi edhe dy herë të tjera në portën tonë, fillimisht me anë të Alvyn Sanchez, në minutën e 60’-të të lojës dhe vetëm 16 minuta më vonë shënuan edhe golin e tretë falë 19-vjeçarit, Aaron Keller. Goli për ne erdhi vetëm në minutën e 93’-të, me “yllin” e Empoli, Stiven Shpendi, i cili u kujtua shumë vonë për të dërguar topin në rrjetë.

Falë këtij rezultati, Zvicra U21 ngjiten në krye të grupit E, me plot 14 pikë, 1 më shumë se Rumania U21 dhe 4 me shumë se Finlanda U21 dhe “Shpresat” tona, të cilat kanë goxha mundësi kualifikimi për në fazën finale të kompeticionit. Tashmë sfida e radhës për Kombëtaren U21 do të jetë ajo ndaj Malit të Zi, më 7 qershor. /i.m /abcnews.al