Ish-presidenti Donald Trump duket se mbështet përgjigjen e Izraelit ndaj masakrës së 7 tetorit, pasi në një intervistë ekskluzive për Israel ha-Yom, ai tha se do të ishte përgjigjur në të njëjtën mënyrë si Izraeli pas sulmit të 7 tetorit nga Hamasi,
Por në të njëjtën kohë, ai i bëri thirrje Izraelit të përfundojë ofensivën e tij në Gaza, duke paralajmëruar zbehjen e mbështetjes ndërkombëtare.
“Duhet t’i jepni fund luftës tuaj. Duhet ta bëni tani. Ne duam paqe. Nuk mund ta lejojmë të ndodhë kjo. Dhe gjithashtu dua t’i them Izraelit që të tregohet i kujdesshëm pasi po humbet mbështetjen e botës,” theksoi Trump.
Sipas transkriptit të intervistës, Trump tha se “Izraeli bëri një gabim shumë të madh” në publikimin e fotove dhe videove të ofensivës së tij në Gaza, duke theksuar se imazhi publik i vendit po rrënohet.
“Ky është një imazh i tmerrshëm. Është një imazh shumë i keq për botën”, tha Trump.
“Unë mendoj se Izraeli donte të tregonte se çfarë mund të bëjë, por ndonjëherë nuk duhet ta bëni këtë gjë”, tha ish presidenti amerikan.
Menjëherë pas sulmit në të cilin militantët e Hamasit vranë 1200 njerëz dhe morën 250 pengje, Trump kritikoi Netanyahun se ai nuk e kishte mbështetur kur ishte në Shtëpinë e Bardhë. Ai tha gjithashtu se Netanyahu “nuk ishte i përgatitur” për inkursionin vdekjeprurës nga Gaza.
Më shumë se 32,000 palestinezë janë vrarë në ofensivën e Izraelit, sipas Ministrisë së Shëndetësisë në territorin e sunduar nga Hamasi. Javën e kaluar, Trump kritikoi hebrenjtë amerikanë që do të votonin për demokratët për shkak të kritikave në rritje ndaj Izraelit brenda partisë.
Deklarata e tij u kritikua nga disa liderë hebrenj, si udhëheqësi i shumicës në Senat, Chuck Schumer, i cili tha se shndërrimi i Izraelit në një çështje partizane do të dëmtonte marrëdhëniet e tij me Shtetet e Bashkuara, ndërsa vetë senatori demokrat kohët e fundit foli kundër kryeministrit izraelit Benjamin Netanyahu dhe bëri thirrje për zgjedhje të reja.