Në mbrojtje të Granit Xhakës ka dalë një nga trajnerët më të mirë në botë. Pep Guardiola është përfshirë në debatin e madh që po kryhet në lidhje me kapitenin e Arsenalit. Mesfushori u zëvendësua në pjesën e dytë të ndeshjes shtëpiake kundër Crystal Palace dhe tifozët shpërthyen në fishkëllima kundrejt tij. Xhakës nuk i pëlqeu kjo skenë dhe reagoi kundrejt tifozëve.
Lojtari shqiptar shkroi një letër gjatë ditës së djeshme në faqen e tij zyrtare në rrjetet sociale, aty ku kërkoi falje dhe tregoi se ka marrë kërcënime të shumta nga tifozët e Gunners.
“Ndjenjat e mia nuk janë kuptuar asnjëherë nga tifozët, kam marrë shumë ofendime dhe kërcënime si gjatë ndeshjeve, ashtu dhe në rrjetet sociale. Njerëzit më kanë thënë gjëra si: ‘Do të të thyejmë këmbët!’, ‘Vrite gruan tënde’, ‘Shpresoj që vajza jote të bëhet me kancer!’.
Këto ofendime më kanë bërë që unë të reagoj në këtë mënyrë. Në këtë situatë, reagova në një mënyrë të tillë që ka ofenduar disa tifozë, disa tifozë që e duan këtë klub aq sa unë dhe që shpresojnë të shkojmë sa më lart. Qëllimi im nuk ka qenë të ofendoj askënd dhe kërkoj falje për këtë gjë“, shkruante Xhaka, teksa Unai Emery vendosi të mos e grumbullonte për ndeshjen e radhës në kampionat.
“Duhet t’i respektojmë tifozët, edhe pse disa herë bëhet shumë e vështirë për lojtarët. Arrij ta kuptoj Xhakën, e di se çfarë ka ndjerë në ato momente. Nuk jam unë personi i duhur për ta gjykuar, sepse më ndodh edhe mua të humbas kontrollin e emocioneve të mia. Gjithsesi, futbolli është një lojë dhe gjëja më e mirë është që lojtarët të zbresin në fushë për të dhënë më të mirën e tyre dhe për t’u argëtuar“, përfundon trajneri i Manchester City. /abcnews.al