Tifozët kanë vërshuar pranë dyqanit zyrtar të Federatës Shqiptarë të Futbollit dhe synimi është të pajisen me bileta për ndeshjen me Francën kryesisht. Gjithsesi institucioni më i lartë i futbollit në vend ka marrë një vendim absurd, që i detyron tifozët të blejnë bileta për të dyja takimet.
Është e pakuptimtë diçka e tillë për disa arsye. Ndeshjet luhen në stadiume të ndryshme, me kapacitete të ndryshme. Për të blerë bileta për të dyja ndeshjet do të jenë të detyruar vetëm një pjesë e tifozëve, çka është një pabarazi. Po ashtu, sikurse dihet në tribunën kryesore në ndeshjen me Francën do të ketë tifozë vetëm me ftesa, kurse për takimin me Andorrën ka bileta në shitje edhe për tribunën kryesore.
Tifozët gjithashtu ankohen edhe për tentativën për t’i detyruar ata që të bëhen pjesë e “Klubit të Tifozëve”, të cilët kanë përparësi në pajisjen me bileta. Madje online vetëm për ta po shiten momentalisht biletat e takimit me Francën.
Në orët në vazhdim mund të ketë edhe një reagim të FSHF-së, që mund të vendosë për arsye të shumta ta ndryshojë vendimin për t’i shitur biletat dyshe. Sa i takon detyrimit për t’u bërë anëtar i “Klubit të Tifozëve”, kemi të bëjmë me një absurditet. Kurrsesi nuk mund të shiten bileta për një grup të caktuar tifozësh, vetëm pse paguajnë një kuotë në FSHF. /abcnews.al