NBA/ Boston tregon forcën, Oklahoma nuk ndalet

schedule12:32 - 21 Mars, 2024

schedule 12:32 - 21 Mars, 2024

Ishte ndeshja më e rëndësishme e mbrëmjes dhe pritshmëritë nuk u zhgënjyen. Prozhektorët ishin drejtuar në “TD Garden”, ku përveç spektaklit dhe emocioneve, Boston dhuroi një tjetër shfaqje të forcës, duke mundur Miluokin me vetëm tri pikë diferencë në rezultatin e përgjithshëm 122-119.

Kjo diferencë e ngushtë tregon se sa e luftuar ishte kjo sfidë, me Baks që i shkuan shumë pranë surprizës së madhe.

Xhejzon Tatum mori edhe një herë rolin e liderit për Sëlltiks, duke shënuar 31 pikë dhe duke bërë një punë të shkëlqyer në mbrojtje.

Nga ana tjetër, Miluoki duhej të bënte në këtë ndeshje pa Janis Atentokoumpo. Gjithsesi, Damien Lilard provoi gjithçka për të çuar skuadrën e tij drejt suksesit. Ai shënoi 32 pikë, por nuk arriti të evitojë humbjen e Baks, që mbeten në vendin e dytë të Konferencës së Lindjes, por tani me një diferencë më të madhe se kryesuesit e Boston, që thellojnë serinë rekord në këtë sezon të rregullt të NBA me 55 fitore dhe 14 humbje.

Edhe Konferenca e Perëndimit konfirmoi kryesimin e Oklahoma, që ruajti serinë pozitive edhe në mbrëmjen e fundit.

“Thandër” mundën në shtëpi 119-107 Jutah.

Shei Xhilxhous Aleksander bëri një tjetër paraqitje spektakolare, duke shënuar edhe 31 pikë në triumfin e skuadrës së tij.

Me këtë fitore Oklahoma thellon diferencën me ndjekësit më të afërt në vendin e parë të Perëndimit./ abcnews.al