Rusia i kërkon Gjermanisë të njohë rrethimin e Leningrad si gjenocid

schedule11:17 - 20 Mars, 2024

schedule 11:17 - 20 Mars, 2024

Rusia ka kërkuar që Gjermania të njohë rrethimin e Leningradit në Luftën e Dytë Botërore jo vetëm si krim lufte, por edhe si gjenocid. Ministria e Jashtme ruse i dërgoi për këtë një notë diplomatike Ministrisë së Jashtme të Gjermanisë, ku Gjermania kritikohet për “trajtimin e saj kontradiktor” të së kaluarës.

”Krimet gjermane nga epoka koloniale njihen si gjenocid, por krimet naziste kundër popujve të Bashkimit Sovjetik gjatë Luftës së Dytë Botërore nuk njihen”, thuhej në letër.

”Pala ruse këmbëngul në njohjen zyrtare të mizorive të tilla të Rajhut të Tretë si gjenocid”, shtohet në deklaratë.

Gjatë rrethimit afër 900-ditë të qytetit verior rus të Leningradit, tani Shën Petërburg, nga Wehrmacht-i dhe aleatët e tij në 1941-1944, rreth 1,1 milionë njerëz humbën jetën.

“Rrethimi i Leningradit ishte një krim i tmerrshëm lufte që Wehrmacht-i gjerman i shkaktoi Leningradit dhe popullsisë së tij”, sipas Ministrisë së Jashtme gjermane.

Aty thuhet se qeveria gjermane e ka theksuar këtë në disa raste dhe e mban këtë opinion ligjor. Këtë janar, në 80-vjetorin e përfundimit të rrethimit, ambasada gjermane në Moskë përkujtoi viktimat me disa manifestime.

Ambasadori Alexander Graf Lambsdorff u takua me të mbijetuarit. Diplomacia ruse po ushtron gjithnjë e më shumë presion mbi Gjermaninë. Ligjërisht, akuza për gjenocid shkon më tej se ajo e krimeve të luftës.

Konventa e Kombeve të Bashkuara për gjenocidin e vitit 1948 parashikon që gjykatat kompetente duhet të nxjerrin dënime për gjenocid. Në shënim, Ministria e Jashtme ruse kritikoi edhe një herë faktin se Gjermania pagoi vetëm dëmshpërblime individuale për viktimat hebreje të bllokadës.

Gjermania e justifikon trajtimin e ndryshëm me faktin se hebrenjtë sovjetikë iu nënshtruan një persekutimi të veçantë për shkak të politikës racore naziste.

Kompensimi për viktimat e tjera u mbulua nga reparacionet e luftës të paguara nga Gjermania pas vitit 1945.

Megjithatë, si gjest humanitar, qeveria gjermane ka financuar ndihmën sociale dhe mjekësore për të mbijetuarit e rrethimit në Shën Petërburg që nga viti 2019.

/abcnews.al