Zyrtarët amerikanë dhe izraelitë mund të takohen në fillim të javës së ardhshme në Uashington për të diskutuar operacionin ushtarak të Izraelit në Rafah, tha të martën zëdhënësja e Shtëpisë së Bardhë Karine Jean-Pierre, duke shprehur shqetësimin për raportet për urinë e afërt në Gaza.
Jean-Pierre vuri në dukje se Presidenti Joe Biden i ka kërkuar kryeministrit izraelit Benjamin Netanyahu që të dërgojë një ekip të lartë ushtarakësh, zyrtarësh të inteligjencës dhe organizatave humanitare në kryeqytetin amerikan për takime në ditët e ardhshme për diskutime të thella.
Detajet janë ende duke u diskutuar, por takimi mund të zhvillohet në fillim të javës së ardhshme, tha zyrtari amerikan. Ai shtoi se Shtëpia e Bardhë i kërkoi Izraelit të bëjë më shumë për të lejuar që ndihma humanitare të rrjedhë në Rripin e Gazës.
Në pjesën veriore të Rripit të Gazës, rreth 300,000 njerëz mbeten të bllokuar nga konflikti dhe janë në prag të urisë, sipas një raporti nga një agjenci e specializuar e OKB-së botuar të hënën.
Në të gjithë Rripin e Gazës, numri i njerëzve që përballen me një situatë “urie katastrofike” është rritur në 1.1 milion, gjysma e popullsisë së enklavës, sipas raportit të Klasifikimit të Integruar të Sigurisë Ushqimore (IPC)./abcnews.al