Ora 11.00- Komisioni Qendror i Zgjedhjeve është tërhequr për të marrë vendimin nëse do të shkarkojë ose jo kryebashkiakun e Vorës Agim Kajmaku. Agim Kajmaku ka vetëm 3 muaj në detyrën e kryebashkiakut. Ai akuzohet se ka fshehur të dhënat dhe nuk ka deklaruar se ka qenë i dënuar më parë në shtetin grek duke shkelur kështu ligjin për dekriminalizimin.
Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka nisur sot mbledhjen për të vendosur shkarkimin ose jo të kryebashkiakut të Vorës Agim Kajmaku.
Sipas raportimit të gazetares së ABC News, Esjona Konomi, nga zërat që qarkullojnë brenda KQZ anëtarët janë shprehur se do të merret vendim për shkarkimin e Agim Kajmakut.
Nga dita e hënë deri ditën e djeshme anëtarët e KQZ kanë qenë me mendime të ndryshme por me sa duket presioni politik për shkarkimin e tij ka qenë më i lartë.
Po ashtu ditën e djeshme Sekretari Juridik i Partisë Demokratike Çlirim Gjata deklaroi në emisionin Mbrëmje Abc me gazetaren Mirela Milori, se kishte informacione se do të diskutohej procedura e hetimit që ka zhvilluar prokuroria ndaj Agim Kajmakut. Gjata u shpreh se kjo ishte e gabuar për më tepër shkelje ligjore.
Mbetet për tu parë se çfarë vendimi do të marrë KQZ në përfundim të mbledhjes që sapo ka nisur.
Disa ditë më parë, Prokuroria e Përgjithshme përmes një shkrese nga prokurori Arben Kraja, i bënte të qartë Komisionit Qëndror të Zgjedhjeve se ka përfunduar hetimet për shtetasin Agim Kajmaku, duke bërë edhe vlerësimin e tij se kryebashkiaku i Vorës, nuk është subjekt i ligjit të dekriminalizimit me veprën që ka kryer, por mandati i tij duhet të përfundojë menjëherë, për shkak se ai nuk ka deklaruar veprën për të cilën ishte nën hetim në shtetin grek.
“Nga verifikimet e kryera rezulton se subjekti ka qenë në hetim dhe është arrestuar në flagrancë për qarkullim monedhash të falsifikuara. Ndërkohë në vendimin datë 13.09.2019, Nr.236/2019 të Gjykatës së Janinës, është shpallur i pafajshëm. Gjithashtu ka qenë në hetim për dy raste nga Prokuroria e rrethit Gjyqësor Tiranë, por në të dy rastet procedimet penale janë pushuar. Për këtë arsye subjekti nuk përfshihet në asnjë nga rastet e ndalimeve parashikuar në nenin 2 të ligjit Nr.138/2015. Ndërkohë, konstatohhet se subjekti deklarues, Agim Kajmaku(Jorgo Toto) përfshihet në përcaktimet e pikës 3, gërma “ç”, kreu III, i vendimit nr.17/2016 të Kuvendit të Shqipërisë”, shkruhet në shkresën e prokurorisë drejtuar KQZ.
Mosdeklarimin e këtij rasti në formularin e dekriminalizimit, Kajmaku e justifikoi me mosdijeni të hetimit ndaj tij në Greqi.
Por prokurori që ka hetuar rastin e Agim Kajmakut hodhi poshtë edhe këtë pretendim të tij.
“Nga verifikimet e kryera konfirmohet se subjekti Agim Kajamaku ka patur dijeni të plotë në lidhje me faktin që ka qenë në hetim penal në Greqi dhe se ndaj tij kishte një process gjyqësor penal në zhvillim. Kjo, sepse ai është arrestuar në flagrancë dhe ka dalë para gjykatës greke ku i është bërë e ditur e gjithë procedura që do ndiqet ndaj tij. Nga ana tjetër rezulton se subjekti ka kryer veprime konkrete për fshehjen këtij fakti para autoriteteve shqiptare,duke ndryshuar në datë 30.3.2004 emër/mbiemër nga “Jorgo Toto” në “Agim Kajmaku”, si dhe duke mos e deklaruar këtë fakt në formularin e Vetëdeklarimit”, shkruhet në dokumentin e prokurorisë.
Ndërkohë, avokati i Kajmakut, Isfus Shehu hodhi dyshime mbi procesin e verifikimit nga ana e Prokurorisë së Përgjithshme ndaj kryetarit të Bashkisë së Vorës.
“Prokuroria nuk ka mundur të administrojë asnjë vendim të formës së prerë për Agim Kajmakun. Administrimi i akteve nga ana e Prokurorisë duhet të bëhet vetëm në rrugë zyrtare, dhe duhet të ishin bërë përmes letërporosiv.”-ka deklaruar Isuf Shehu. /abcnews.al

