Politikani holandez Geert Wilders tha të mërkurën se është i gatshëm të heqë dorë nga posti i kryeministrit, në një përpjekje për të lehtësuar formimin e një qeverie të re të krahut të djathtë, gati katër muaj pas zgjedhjeve në të cilat partia e tij fitoi shumicën e votave.
“Unë mund të bëhem kryeministër vetëm nëse të gjitha partitë në koalicion e mbështesin atë. Nuk ndodhi kështu”, shkroi ai në platformën e mediave sociale X.
Televizioni kombëtar holandez NOS, raportoi më herët se zoti Wilders ishte i gatshëm të hiqte dorë nga shpresa e tij për t’u bërë kryeministër ndërsa luftonte për të formuar një qeveri të qëndrueshme.
Duke cituar burime politike në Hagë, NOS tha se Partia e Lirisë e zotit Wilders dhe tre parti të tjera konservatore që përpiqeshin të formonin një koalicion të krahut të djathtë, po shqyrtonin një skenar sipas të cilit udhëheqësit e partive do të qëndronin në parlament dhe nuk do t’i bashkoheshin qeverisë së re.
Zoti Wilders tha më 14 shkurt se ai ishte i gatshëm të shqyrtonte “të gjitha mundësitë ” për të formuar një qeveri, qoftë të pakicës ose një qeveri jashtëparlamentare, në vend që të çonte vendin në zgjedhje të reja.
Pas zgjedhjeve të 22 nëntorit, partia e zotit Wilders fitoi 37 vende në dhomën e ulët prej 150 vendesh të parlamentit holandez. Katër partitë që u përfshinë në bisedime për formimin e qeverisë kanë shumicën prej gjithsej 88 vendesh. Anketat pas zgjedhjeve tregojnë se mbështetja për partinë e zotit Wilders vazhdon të rritet.
Rritja e së djathtës ekstreme në një peizazh politik të polarizuar po ndodhë për vite me radhë në Evropë, por fitorja e zotti Wilders ishte një tronditje për Holandën dhe më gjerë.
Geert Wilders shpesh ka bërë thirrje për ndalimin e xhamive, shkollave islame dhe Kuranit, por në një lëshim ndaj partnerëve të mundshëm të koalicionit, në muajin janar ai tërhoqi projektligjin për zbatimin e katre synimeve.
Holanda nuk është e vetmja që ka parë një zhvendosje nga e djathta. Partitë e ekstremit të djathtë pritet të shënojnë rritje të dukshme në zgjedhjet e qershorit për parlamentin e Bashkimit Evropian. /VOA