“Bardhi, duket si një ‘Andreoti në miniaturë’”, politologu: Pse nuk mund të ketë marrëveshje mes qeverisë dhe Rithemelimit

schedule20:26 - 13 Mars, 2024

schedule 20:26 - 13 Mars, 2024

TIRANË- Politologu Alban Daci, ka analizuar situatën politike në Shqipëri dhe konkretisht u ndal tek përpjekjet e opozitës për të hequr dorë nga veprimet e dhunshme në Parlament.

Ai theksoi se qeveria nuk mund të bëjë asnjë marrëveshje, me një krah politik, pas të cilit qëndron një person i shpallur “non grata” nga SHBA. Gjatë intervistës në “Real Story”, Daci renditi arsyet se pse nuk mund të ketë marrëveshje mes Rithemelimit dhe mazhorancës socialiste.

“Ne jemi një republike parlamentare dhe e dimë se si funksionon një republikë parlamentare që shumica vendos, por respekton edhe pakicën. Unë mendoj se nuk do kemi asnjë lloj marrëveshje dhe kjo për dy arsye. Arsyeja e parë është sepse kjo marrëveshje nuk përfaqëson interesat e shqiptarëve dhe demokratëve, por përfaqëson interesat e një establishmenti në krizë, i cili kërkon me çdo kusht të jetë faktor politik në vend edhe pse koha i ka kaluar këtij establishmenti, kërkohet të legjitimohet një person non grata i delegjitimuar dhe Edi Rama duke qenë kryeministër i Shqipërisë me një bazë në Kuçovë, e cila sapo është inauguruar, ai kurrsesi nuk mund të bëjë legjitimimin e një personi të shpallur të padëshiruar nga aleati jonë strategjik, SHBA dhe këtë përgjigje e tha shumë qartë Rama në deklaratën e tij bërë në version online”, tha ai.

Ai foli edhe për rolin e Gazment Bardhit, për të cilin u shpreh se duket më tepër si një “Giulio Andreoti në miniaturë” dhe rruga që ka nisur nuk do t’i prodhojë asnjë rezultat pozitiv.

“Sa i përket faktit Bardhi, unë e kam cilësuar se fatkeqësisht Shqipëria ka imituar modelin më të gabuar të Italisë, ka imituar modelin politik. Unë e kam konsideruar Bardhin një Andreoti në miniaturë, i cili nuk ka mbështetje në popullaritet dhe nuk është një lider. Është një aventurë politike, e cila nuk do t’i sjellë asnjë lloj rezultatit”, shtoi ai./ n.m.abcnews.al

 

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!