Donald Trump, i cili tashmë duket i sigurt se do të jetë kandidati republikan për presidencën në zgjedhjet e këtij viti në SHBA, tha është gati të marrë pjesë në debate televizive me kundërshtarin e tij demokrat, Presidentin Joe Biden, “kudo, në çdo kohë”.
“Është e rëndësishme, për të mirën e vendit tonë, që Joe Biden dhe unë të diskutojmë çështje me rëndësi jetike për Amerikën dhe popullin amerikan”, tha ish-presidenti.
“Kjo është arsyeja pse unë bëj thirrje që të zhvillohen debate, kudo dhe kurdo”, shtoi ai.
Pas fitoreve të martën, dy burrat pritet të përballen me njëri-tjetrin në zgjedhjet presidenciale të 5 nëntorit, ashtu si në 2020.
Por sfida për Joe Biden dhe Donald Trump është që të dy të mobilizojnë bazat e tyre dhe të fitojnë sa më shumë votues të pavarur që të munden, veçanërisht në disa shtete ku rezultati konsiderohet i pasigurt.
Joe Biden dhe Donald Trump u përballën në një seri debatesh televizive në vjeshtën e vitit 2020. Demokrati, ish-zëvendëspresidenti i Barack Obamës, fitoi zgjedhjet presidenciale.
Por Donald Trump nuk e pranoi kurrë humbjen e tij, duke akuzuar demokratët pa prova se i kishin “vjedhur” fitoren në ato zgjedhje.
/abcnews.al