Shpallet gjendje e jashtëzakonshme në jug të Kalifornisë si pasojë e zjarreve që kanë detyruar autoritetet të evakuojnë 200 mijë banorë. Zjarret ushqehen dhe nga era me një shpejtësi prej 128 kilometrash në orë.
Përkeqësohet situata në jug të Kalifornisë, duke detyruar autoritetet të shpallin gjendjen e jashtëzakonshme.
Kjo është hera e parë që ndodh një gjë e tillë, shenjë kjo që tregon dramën që po përjetojnë zjarrfikësit dhe banorët e zonave pyjore në Los Anxheles, Ventura dhe San Bernardino. Deri tani janë 200 mijë personat e evakuuar.
Flakët avancojnë duke shkrumbuar cdo gjë, të ushqyera nga era që arrin një shpejtësi prej 128 kilometra në orë. Puna e palodhur e zjarrfikësve po zbehet si pasojë e kushteve klimaterike që nuk lejojnë shuarjen e zjarreve.
Përballë numrit të lartë të të evakuuarve, ndërprerjes së energjisë elektrike dhe shtëpive të shkatërruara, guvernatori i Kalifornisë kërkoi shpalljen e gjendjes së jashtëzakonshme. Ajo që po ndodh në jug të shtetit po jep pasoja dhe në veri.
Sipas të dhënave zyrtare të publikuara janë rreth 1.5 milionë personat e prekur nga zjarret, nga të cilët të paktën 1 milion janë ende pa energji elektrike. Pamundësia për të karikuar telefonat celularë, mjetet elektrike, është dytësore përballë pamundësisë për t’u ngrohur apo për të mbajtur ushqimet e freskëta.
Ndërkohë në qendra tregtare shpërndahet ujë, ushqime dhe llampa diellore falas. /abcnews.al