Interi ka marrë tre pikë me mjaft vlera në transfertë ndaj Brescia dhe ruan vendin e parë në klasifikim. Trajneri Antonio Conte vlerëson atë që po bën ekipi i tij dhe meritat ia jep të gjitha lojtarëve, që po përballojnë një kalendar të ngjeshur me dëmtime të shumta.
“Është e vështirë të flasësh për lojën. Po luaj gjithmonë me të njëjtët lojtarë dhe po marrim tre pikët. Kemi bërë diçka të jashtëzakonshme. Nuk duhet të flasim shumë, duhet vetëm të falënderojmë djemtë për shpirtin e lartë luftarak që kanë treguar”, është shprehur fillimisht trajneri i zikaltërve.
Conte, duke u ankuar, ka shtuar: “Tani duhet të mendojmë të rikuperohemi, pasi të shtunën luajmë me Bolonjën dhe më pas me Borusian e Dormundit. Nuk kam parë ekipe të tjera që kanë luajtur shtatë ndeshje në 20 ditë, më duket një anomali. Disa ndeshje mund të kalohen me vuajtje. E sfidoj këdo që të luajë katër ndeshje në 9 ditë”.
Italiani ndërkohë kërkon të mbajë me këmbë në tokë ekipin e tij dhe pret që në janar të vijnë disa lojtarë, pasi dëmtimet gjatë rrugës e vështirësojnë shumë punën. Nëse deri më tani ia kanë dalë mirë, në vazhdim situata mund të ndryshojë dhe pret që drejtuesit e klubit të marrin masa.
“Duhet të jemi të mirë në përmirësimin e disa gjërave. Renditja është kjo që është, por nuk duhet të na bëjë të mbyllim dytë dhe të mendojmë se gjithçka është në rregull. Po e përdorim makinën me shpejtësi të lartë, nuk po shkojmë për një xhiro në fshat. Ky grup po bën diçka që të tjerët nuk e prisnin”, deklaron Conte. /abcnews.al