Irani ka furnizuar Rusinë me raketa balistike, sipas një deklarate të ministrit britanik të Mbrojtjes Grant Shapps. Në një intervistë me House Magazine, Shapps konfirmoi se Britania ka informacion në lidhje me furnizimin e supozuar të Iranit me raketa në Rusi, por nuk pranoi të hyjë në detaje.
Agjencia e lajmeve Reuters raportoi muajin e kaluar se Teherani ka furnizuar Rusinë me një numër të madh raketash balistike. Shtetet e Bashkuara reaguan menjëherë, duke paralajmëruar se nëse kjo është e vërtetë, Irani do të dënohet nga komuniteti ndërkombëtar.
Irani ka mohuar publikisht se ka furnizuar Rusinë me raketa. Por Shapps tha se Britania kishte informacione për të mbështetur këtë pretendim.
“Pavarësisht nëse janë raketa balistike apo dronët Shahed me të cilët kanë furnizuar Rusinë, ne kemi parë se aty ku ka konflikt në botë, Irani e nxit atë”, tha ministri britanik, duke shtuar: “Ata janë një ndikim i keq, jo vetëm në rajonin e tyre, por në këtë rast edhe në Europë”.
Një furnizim i mundshëm i raketave nga Irani në Rusi do të sinjalizonte një forcimin e lidhjeve ushtarake midis dy vendeve.
Teherani fillimisht kishte refuzuar t’i jepte Rusisë raketat e saj, nga frika e sanksioneve të mëtejshme kundër saj.
/abcnews.al