Kopshti Botanik, Dekani i FSHN: Arsyeja pse nuk mund ta marrë bashkia

schedule17:37 - 29 Tetor, 2019

schedule 17:37 - 29 Tetor, 2019

Gjykata Administrative e Apelit vlerësoi të vlefshme padinë e Rektorit të Universiteti të Tiranës i cili kundërshton vendimin e Këshillit të Ministrave që i jep në pronësi Bashkisë së Tiranës 15 ha toke të Kopshtit Botanik.

Dekani i Fakultetit të shkencave të Natyrës, Spiro Drushku, i ftuar këtë të martë në ABC News u shpreh se pedagogët nuk janë shprehur kurrë që Kopshti është pronë e FSHN-së. Ai tha se kopshti është aset shtetëror, por që i është lënë FSHN-së nën administrim dhe kujdesje.

“Është një pronë që nuk i është dhënë fakultetit të shkencave në administrim, por është një pronë që që në vitin 1965 i është dhënë për ta krijuar dhe administruar Kopshtin Botanik. Aty është puna, kërkimi, djersa, kontributi i dhjetëra brezave të kërkuesve në fushën e Florës që sot e kanë shndërruar në një Kopsht Botanik”, tha Drushku.

Ai shpjegoi arsyen pse Bashkia nuk mund ta marrë këtë kopsht. Sipas Drushkut, Kopshti Botanik ka vetëm një qëllim dhe ai është për studime akademike.

“Bashkia nuk mund ta marri sepse që ta marri duhet të ketë kapacitetet e saj për ta administruar, ndërkohë që nuk është një kopsht rekreativ. Kopshti botanik që në strukturën e tij është endur e kërkimit dhe zhvillimit. Aty janë sjellë nga shkencëtarë botanikë mbi 1500 specie. Ka vetëm qëllim akademik. Kopshti Botanik jo se nuk punon si qendër rekreacioni. Aty vijnë e vizitojnë studentë, nxënës, bëjnë praktika dhe studentë të rretheve. Aty është një Shqipëri e vogël me të tërë bimët e futura brenda”, tha Drushku.

Ndër të tjera, dekani theksoi se Universiteti i Tiranës nuk ka probleme me investimet e bashkisë, por Ministrinë e Arsimit dhe qeverinë që kanë miratuar vendimin.

“Bashkia nuk ka punë në këtë proces. Ne nuk jemi kundër investimeve të Bashkisë. Ne kemi bërë një padi kundër vendimit 510 ku kjo pronë e shtetit i kalon bashkisë dhe i hiqet administrimi FSHN. Bashkia është palë përfituese. Ne e kemi problemin me Ministrinë e Arsimit që e ka propozuar këtë lloj transferimi dhe qeverinë që e ka miratuar. Sa herë që kërkojmë të bëjmë debate del përpara si një varkë shpëtimi Bashkia e Tiranës. Me bashkinë jemi dakordësuar të bëjmë këto investime”, u shpreh Drushku.

Drushku theksi më tej se kërkon të gjejë pikat e përbashkëta me qeverinë për të bërë zgjidhjen më të mirë. Ndërkohë, FSHN i është drejtuar edhe një shoqate ndërkombëtare ku marrin pjesë botanistët më të mirë të Evropës. Këta të fundit do t’iu drejtohen me një letër sensibilizuese Ministrisë së Arsimit.

Një trupë prej pesë anëtarësh në gjykatën Administrative të Apelit do të vendosë nëse padia që ka bërë rektori i UT do të gjykohet nga Gjykata Administrative e Apelit, apo do t’i kalojë për shqyrtim një tjetër shkalle të gjyqësorit.

Intervista e plotë:

/abcnews.al