Ancelotti “dënon” arbitrin: Diçka e paprecedentë, nuk e kisha hasur kurrë në karrierën time

schedule09:16 - 3 Mars, 2024

schedule 09:16 - 3 Mars, 2024

Nuk mund të kishte mbyllje më të hidhur për “Galaktikët” e Real Madrid. Në transfertën e Valencia, djemtë e teknikut, Carlo Ancelotti nuk kanë shkuar më shumë se barazimi, 2 me 2, në “Estadio Mestalla”, në përballjen e vlefshme për javën e 27-të të kampionatit spanjoll të futbollit, La Liga, përballje e cila shkaktoi jo pak polemika në fund e saj.

Kjo për shkak të arbitri, Gil Manzano, i cili teksa po luhej minuta e 9’ shtesë, pavarësisht se ishin dhënë vetëm 7 të tilla, gjyqtari i njohur vërshëlleu për përfundimin e ndeshjes vetëm një apo dy sekonda para se “ylli” anglez, Jude Bellingham të shtynte me kokë topin drejt rrjetës për golin e 2-3, pas një krosimi nga e djathta.

Manzano nuk mund ta kthente vendimin e tij, duke shkaktuar zemërimin e futbollistëve dhe pankinës së Real Madrid, që pushtuan fushën për t’i kërkuar llogari kryesorit, me “fantazistin” e sulmit, që mori edhe një karton të kuq, pas protestave ndaj arbitrit spanjoll, vendim ky, i cili nga tekniku Carlo Ancelotti u duk tejet i padrejtë e këtë gjë e konfirmoi edhe në komentin e tij për mediat, pas ndeshjes, u ndër të tjera u shpreh se arbitri gaboi rëndë në disa raste.

“Nuk kam shumë për të thënë sepse ndodhi diçka e paprecedentë dhe që nuk e kisha hasur kurrë më parë në karrierën time. Pasi portieri kundërshtar largoi topin, arbitri edhe mund ta mbyllte ndeshjen në atë moment. Por, e la lojën dhe ne e morëm sërish në zotërim topin, mendoj se gaboi rëndë.

Edhe më shumë keq më vjen për kartonin e kuq ndaj Bellingham. Ai nuk i tha asgjë të keqe arbitrit, thjesht theksoi se goli ishte i rregullt dhe e vërteta kjo është. Jemi të mërzitur dhe të inatosur. Por, na duhet të qetësohemi sepse duke parë klasifikimin, ende mund ta bëjmë gjumin të qetë”,- u shpreh strategu italian. /i.m /abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!